Shtëpia e Bardhë po përgatitet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, që do t’i mundësonte Presidentit Trump, të anashkalojë Kongresin për financimin e murit në kufirin me Meksikën. Dyshimet hidhen nga Washington Post që citon burime konfidenciale brenda stafit presidencial.

Përmes kësaj mënyre, Trump mund të financojë ngritjen e murit përmes fondeve të papërdorura të ushtrisë dhe paratë e papërdorura nga viti i kaluar që Kongresi i kishte akorduar si rezervë në raste katastrofash natyrore. Bëhet fjalë për një shifër prej 13.9 miliardë Dollarësh. Megjithatë, pretendime të tilla i hodhi poshtë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

Projekti i Presidentit parashikon ngritjen e një muri prej 500 km përgjatë kufirit me Meksikën me një vlerë prej jo më shumë se 5.7 miliardë Dollarësh. Për demokratët shifra është tepër e lartë dhe papranueshme. Si kundëreagim, Presidenti nuk nënshkruan buxhetin për vitin 2019 duke lënë pa rroga mbi 800 mijë punonjës të administratës. Së fundi, Trump ka pezulluar pjesëmarrjen e tij në forumin ekonomik të Davosit.

Tv Klan