Tragjedia ajrore e të dielës në Etiopi, ku humbën jetën 157 persona ka detyruar autoritetet etiopiane, por edhe ato në Kinë të pezullojnë fluturimet e avionëve të modelit të rënë.

Bëhet fjalë për këtë model avioni Boeing 737 të tipit Max 8. Avioni i rënë pranë kryeqytetit etiopian Adis Abeba është aksidenti i dytë tragjik në 5 muaj, pas atij të të njëjtit model të Lion Air në Xhakarta të Indonezisë, Tetorin e vitit të kaluar, ku humbën jetën 189 persona.

Hetuesit në Etiopi ende nuk kanë një variant zyrtar mbi shkaqet e tragjedisë së të dielës. Por njëlloj si në rastin e Indonezisë edhe avioni Boing i Etiopian Airlines ra pak minuta pas ngritjes. Të dy ishin të sapoprodhuar.

Nuk përjashtohet mundësia që avionët të jenë prodhuar me defekt në sistemin e drejtimit automatik, që mund t’i ketë përcjellë pilotit të dhëna të gabuara, duke e alarmuar atë për shpejtësi më të madhe ere ose lartësi mbi atë që ka qenë në realitet.

Me të tillë avionë operojnë edhe 40 kompani në të gjithë botën, përfshirë edhe vendet perëndimore. Por deri më tani, vetëm Etiopia dhe Kina kanë pezulluar fluturimet e tyre dhe po hetojnë për këto raste.

Tv Klan