Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ngritjen e padisë të kryeministrit Fatos Nano për botuesin e gazetës “Koha Jonë” Nikollë Lesi, socialdemokrati Skënder Gjinushi e shikon kështu.

Skënder Gjinushi: “Kur një gazetë apo një artikull merret me një vendim konkret të qeverisë, apo të një institucioni tjetër, pavarësisht nga komentet që mund të bëhen mbi të, këtu mendoj që jemi në kushtet e lirisë së shtypit, pra mund të ketë teprime, mund të mos ketë teprime, mund të ketë të vërteta dhe të pavërteta, por objekti në fund të fundit është i vërtetë, që merret në shqyrtim dhe rrjedhimisht ne s’mund të hyjmë në nuanca, se po hymë pastaj në çdo etiketim të tepruar, s’do kishim më debat, që në parlament, s’do kishte më si të thuash një shtyp të lirë. Pra këtu mendoj se s’është rasti tipik për t’ju drejtuar gjykatës, sepse kemi të bëjmë me një vendim, ku qeveria duhet ta përballojë drejtësinë ose jo të këtij vendimi, që në çdo rast lexohet i tepruar”.

I pyetur se si e vlerëson kërkesën për heqjen e imunitetit të zotit Lesi drejtuar parlamentit, Gjinushi përgjigjet se kjo do të ishte e tepruar. Megjithatë, ai nuk e thotë hapur, se si do të jetë vota e tij në parlament.

Skënder Gjinushi: “Një person i atakuar, kryeministër apo kushdo qoftë, e ndjen veten që kjo e dëmton veçanërisht moralisht, atëherë është e drejta e tij t’i drejtohet organeve dhe rrjedhimisht më pas të kërkojë edhe heqje imuniteti, kurse në rastin konkret mendoj që është një teprim, nuk është rasti klasik për një gjë të tillë, aq më tepër pastaj që ai Kuvend ka shpifur aq shumë ndaj njëri-tjetrit, saqë po t’i hiqej imuniteti do t’u hiqej gjithë parlamentarëve”./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini