Fabrika vizitohet nga Kryeministri Rama

Me një panoramë mbresëlënëse, 1000 metra mbi nivelin e detit, në një nga shpatet malore mbrapa Malit të Dajtit ka nisur punën një nga stabilimentet më moderne në të gjithë rajonin. Bëhet fjalë për fabrikën e re të ujit Selita, projekt i ri i Grupit Kastrati dhe i Blu Imperial.

Një investim mbi 20 milionë Dollarë, i cili sjell drejt e në tavolinat e konsumatorëve shqiptarë ujin e Malësisë së Tiranës, duke ia ruajtur freskinë dhe të gjitha vlerat e burimit Selita.

Stabilimetin e ka vizituar këtë të enjte dhe Kryeministri Rama që u njoh nga drejtuesit e kompanisë me të gjithë procesin e automatizuar dhe të avancuar në teknologji që ndiqet për filtrimin e deri ambalazhimin e ujit në shishe.

Stabilimenti është me kapacitet mbi 300 mijë shishe plastike dhe 100 mijë shishe qelqi në ditë, që janë të gjitha të riciklueshme.

Teknologjia e përdorur është instaluar nga kompania Krones, një kompani lider në botë sa i takon pajisjeve dhe sistemeve të dedikuara për mbushjen dhe ambalazhimin e pijeve.

Për këtë investim ka 3 vite që punohet. Uji Selita buron i ftohtë me temperaturë 6° Celsius dhe sipas ekspertëve ka përmbajtje të lartë oksigjeni, është i pasur me kalcium, magnez, silic, potas e shumë minerale të tjera. Por veç vlerave natyrore që mbart ky ujë,  kompania është kujdesur të nderojë dhe trashgiminë kulturore dhe historike të këtij burimi të rrallë.

Për ambalazhin dizenjuesit janë frymëzuar nga këmishat tradicionale të vajzave të zonës, të cilat mbushnin ujin në atë burim përherë. Shumë shpejt veç tregut shqiptar, ujë Selita do të hidhet dhe në tregun e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Tv Klan