Rroftë Strakosha dhe Taulant Xhaka, portieri dhe mesfushori që shënoi golin janë heronjtë e një nate më parë. Strakosha bëri pritje fantastike, në kufijtë e mrekullisë. U tregua i vëmendshëm pozicional dhe i vendosur në ndërhyrjet e tij.

Ndërthurja e lojtarëve me eksperiencë dhe të rinjve, që kërkojnë t’i bëjnë vend vetes në formacion, ishte gjetja e duhur që jo vetëm solli rezultatin, por edhe qetësoi trajnerin Panucci në pozicionin e tij.

Mesfusha me Bashën, Memushajn dhe Xhakën luajti rolin më të rëndësishëm, pa lënë mënjanë edhe kontributin domethënës të Hykës. Me shiritin e kapitenit, futbollisti i kampionatit amerikan mori përgjegjësi, duke u impenjuar maksimalisht.

Goli erdhi pas një kundërsulmi dhe këmbënguljes së kuqezinjve. Në hyrje të zonës Xhaka mori vendimin për të goditur portën dhe gjeti rrjetën.

Shqipëria pati sërish mundësi të dyfishonte rezultatin. Xhaka sërish protagonist, shërbeu për Hysajn, i cili shkoi shumë pranë.  Fundi i ndeshjes e pa sërish Strakoshën vendimtar.

“Rrezikuam shumë në pjesën e parë, por prej gabimeve tona. Jam i kënaqur me Binakun. Bëri një ndeshje të madhe, ashtu sikurse shumica e lojtarëve. Duhet të kemi aftësinë t’i mbyllim ndeshjet si rasti me Hysajn dhe Xhakën. Duhet të jemi shumë solid edhe në mbrojtje. Ndaj Skocisë do të vuajmë shumë në fushë. Është skuadër e frikshme në fushën e saj. Nuk do të jetë e lehtë të luash atje, por ne do të provojmë të japim maksimumin”,

tha trajneri Christian Panucci.

Kundër Skocisë luhet mbrëmjen e së hënës në Gllasgou. Kombëtarja shkon me tjetër moral në Gllasgou, ku do të synojë një tjetër rezultat pozitiv.

Tv Klan