10 cm dëborë në çdo orë, anulohen 6 mijë fluturime

Stuhia, e njohur si Nor’Easter e shoqëruar me reshje të dendura dëbore dhe erë të fortë ka goditur bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar kaos në transport dhe ndërprerje të energjisë elektrike për mijëra familje.

Autoritetet e emergjencave civile kanë raportuar se në Massachusetts dëbora ka arritur deri në 75 cm trashësi, duke sjell probleme të mëdha në lëvizjen e banorëve dhe të makinave.

Si pasojë e erërave të forta më shumë se 80,000 shtëpi në shtetin e Massachusetts mbetën pa energji elektrike.

Një tjetër shtet që po përballet me stuhinë e fuqishme është edhe ai i Nju Jorkut, ku trashësia e borës arriti në 60 centimetra, duke kapur një rekord të mëparshëm për reshjet e borës së rëna brenda një dite.

Meteorologët thanë se në çdo orë binte nga 8 deri në 10 cm borë.

Guvernatorët e Nju Jorkut, New Jersey, Maryland, Rhode Island dhe Virginia shpallën gjendje të jashtëzakonshme, duke u kërkuar banorëve të qëndrojnë në shtëpi për sigurinë e tyre.

Si pasojë e stuhisë shumë rrugë e ura janë mbyllur për kalimin e makinave, ndërsa kaosi ka përfshirë edhe transportin ajror.

Mediat raportojnë se gati 6,000 fluturime u anuluan gjatë fundjavës, ndërsa shumë qytetarë nuk mundën të udhëtonin për në destinacionet e tyre.

Tv Klan