Pas 4 vitesh Rexhep Taip Erdogan shkeli sot sërish në tokën gjermane. Pas një marrëdhënie të ftohtë mes dy vendeve dhe raportimeve mediatike se Kancelarja Angela Merkel nuk do ta takonte presidentin turk, dy krerët patën një takim në selinë e kryeministrisë në Berlin.

Në konferencën e përbashkët për mediat, ashtu siç pati falenderime, pati edhe kritika. Merkel, e nxitur edhe nga pyetja e një gazetari gjerman lidhur me arrestimin e gazetareve në Turqi, shprehu shqetësimin për problemet që ka shteti ligjor aty, ndërsa Erdogan u shpreh se Gjermania nuk mund të bëjë kritika për drejtësinë në vendin e tij, ashtu siç nuk ka ai të drejtë për drejtësinë gjermane.

Gjatë konferencës u prek edhe çështja e emigrantëve sirianë. Teksa falenderoi kancelaren për bujarinë, Erdogan i kujtoi që në Turqi ndodhen 3.5 milionë sirianë refugjatë, ndaj kërkoi që këtij problemi t’i gjendet një zgjidhje.

Teksa Erdogan vijonte vizitën, rreth 10 mijë persona dolën në sheshin Potsdam në Berlin në demonstrata. Protestuesit e cilësuan presidentin turk si terrorist, fashist dhe diktator.

Klan Plus