Dinamo shpreson te kthesa me Laçin

Tirana kryesuese do të luajë me një tjetër skuadër të fundit të tabelës, Egnatian. Orges Shehi nuk e cilëson të lehtë takimin me ekipin nga Rrogozhina të hënën në kryeqytet.

“Në futboll nuk ka ndeshje të lehta në letër, pasi edhe ato që duken të lehtë bëhen të vështira në fushë. Është një kundërshtar që vlen tre pikë pavarësisht se ku ndodhet, jemi të ndërgjegjshëm që brenda organikës ka lojtarë cilësorë”, tha Orges Shehi, trajner i Tiranës.

Dinamo nuk po arrin të japë rezultatet që kërkon. Kundërshtari i radhës është i vështirë, Laçi i Mirel Josës që nuk njeh humbje prej 27 nëntorit. Por Bledar Devolli nuk dorëzohet pa luajtur.

“E kemi parë sidomos këto ndeshjet e fundit, edhe pse nuk kanë luajtur mirë, kanë fituar, kjo tregon që janë rritur shumë si ekip. Ne do të bëjmë punën tonë, i kemi marrë masat, do të luajmë vetëm për të fituar ndeshjen, nga minuta e parë deri në fund”, tha Bledar Devolli, trajner i Dinamos.

Partizani do të luajë me Skënderbeun. Fitorja në Kupën e Shqipërisë dhe Dinamon dhe ajo në kampionat e kanë qetësuar disi situatën, por përpara për trajnerin Dritan Mehmeti do të kenë një kundërshtar që mbron mirë.

“Mund të na jepen një ose dy raste dhe duam ta zgjidhim. Skënderbeu është një ekip që i jep të gjithëve vështirësi. Mbrojnë shumë dhe nuk të japin shumë mundësi që të dalësh para porte”, tha Dritan Mehmeti, trajner i Partizanit.

Migen Memelli uron që të dalin nga situata që po kalon ekipi korçar.

“Shpresoj që të vijnë edhe pikët edhe pse lojërat në ndeshjet e fundit kanë qenë të mira”, tha Migen Memelli, trajner i Skënderbeut.

Kampionati ka mbërritur në javën e 20.

Tv Klan