Kurti e Osmani: Drejtësi, jo hakmarrje politike

Lëvizja Vetëvendosje arriti në zgjedhjet e parakohshme të së dielës në Kosovë, rezultatin që asnjë parti politike nuk e ka patur në këtë vend pas luftës. Partia e Albin Kurtit u mbështet nga më shumë se 48% e votuesve, gati 3-fishin e votave të ndjekësve të vendit të dytë, Partisë Demokratike të Kosovës. As Lidhja Demokratike e Kosovës nën drejtimin e Ibrahim Rugovës nuk e kishte arritur këtë nivel mbështetjeje, pasi në zgjedhjet e fituara prej tij në 2001-shin dhe 2003-shin, mbështetja nuk kaloi mbi 45.7%.

Vetëvendosja ka një mbështetje gati 22%  më shumë se zgjedhjet e 2019-ës. PDK-ja u rendit e dyta me 17.35 me një rënie gati 4%, e treta LDK-ja me 13.8% me rënie prej 11.4%, AAK 7.42% me një tkurrje prej 4.1% dhe lista Serbe 5.24% me një rënie 1.3%she.  Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk arriti pragun prej 5 % për të hyrë në parlament me përgjysmimin e mbështetjes në 2.5%.

Me një përgjegjësi historike pas këtij rezultati, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani që iu bashkëngjit Vetëvendosjes pasi braktisi Lidhjen Demokratike të Kosovës u shprehën të kujdesshëm me deklaratat pas fitores, duke premtuar drejtësi dhe jo hakmarrje politike. Pavarësisht thirrjeve për të mos u grumbulluar për festime për shkak të rrezikut nga infektimi me Covid-19, mbështetësit e Vetëvendosjes nuk i rezistuan tundimit.

Me fitoren e Vetëvendosjes, shpresat e tyre janë tek vendosja e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit, siç kanë premtuar Kurti dhe Osmani. Skepticizmi nuk mungon për fitoren e Vetëvendosjes.

“Nuk presim ndonjë të mirë për Kosovën, pasi ka fituar një parti plotësisht majtiste që është në kundërshtim me të gjitha partitë europiane”.

Me gjithë fitoren e thellë, Lëvizjes Vetëvendosje do t’i nevojitet një koalicion për të formuar qeverinë. Ndërsa për zgjedhjen e presidentit, do të duhet një mbështetje e 2/3 të parlamentit në raundin e parë.

Tv Klan