Filipçe: Shtrëngimi i masave, i domosdoshëm

Masat e ndërmarra që nga fillimi i pandemisë nuk kanë qenë kurrë politike por gjithmonë në të mirë të qytetarëve. Kështu deklaroi ministri shëndetësisë, Venko Filipçe duke u përgjigjur ndaj pyetjes së gazetarëve se përse këto masa po ndërmerren tani pasi u bë prolongimi i regjistrimit të popullsisë, ndërkohë që pak ditë më parë vetë ministri ishte ai i cili tha se restrikcionet shtesë nuk do të ndikonin në përmirësimin e situatës.

Filipçe nënvizoi se sistemi shëndetësor është i mbingarkuar, ndërsa duke parë më herët se si është përkeqësuar situata për shkak të festave, kanë vendosur që të ndërmarrin masa me qëllim që të mos ketë valë të re të cilën sistemi shëndetësor nuk mund ta përballonte.

“Nëse nuk respektohen masat, ashtu siç ka ndodhur edhe në vitin e kaluar, ne nuk do të mund të përballojmë dhe as të menaxhojmë mirë situatën. Kjo është arsyeja përse tani në këtë periudhë, një javë para agjërimit dhe Pashkëve duhet të vendosen masa shtesë restriktive që të ulet presioni mbi spitalet, të ulet numri i rasteve të reja.”

Duke folur për procesin e vaksinimit në Arenën “Boris Trajkovski” Filipçe njoftoi se gjatë ditës së djeshme janë vaksinuar 2500 persona dhe sot deri në orën 12:00, 800 të tjerë. Ai nuk dha ndonjë garanci se kur pritet të arrijnë dozat e porositura të vaksinës, por vetëm paralajmëroi se nga data 15 deri në 20 të këtij muaji priten dozat e tjera të vaksinës “Sputnik V” si dhe “Sinofarm” e Pfizer. Ai tha se kanë për qëllim të arrijnë të vaksinohen 7000 persona në ditë.

“Kemi 3-4 qytete kritike sipas analizës së incidencës në shtet, ato janë Kumanova, Manastiri, Kërçova dhe Tetova. Në vazhdim jemi në komunikim dhe po menaxhojmë kapacitetet spitalore dhe repartet modulare. Prej sot fillon të punojë edhe Kovid qendra në Manastir. Apeloj qytetarët tu përmbahen masave, që të kontribuojmë të gjithë që kjo valë të përfundojë sa më shpejtë.”

Filipçe tha se mbi 90% e punonjësve shëndetësor janë vaksinuar dhe rivaksinuar apo vazhdojnë procesin e vaksinimit duke mos precizuar nëse ka ndonjë nga punonjësit shëndetësor që refuzon të vaksinohet.

I pyetur lidhur me informacionet se janë vetë disa mjekë shëndetësorë që bëjnë thirrje që të refuzohet vaksina, Filipçe tha se nuk është vërejtur ndonjë fushatë e fuqishme anti-vaksinë dhe për momentin ka vetëm disa informacione që qarkullojnë nëpër rrjete sociale.

Klan Macedonia