Drejt rrënimit të plotë kalaja e shekullit të 15-të

Zig-zaget e rrugës dhe natyra e fshatit Vilë – Bashtovë në Kavajë, ruajnë këtë perlë të shekullit 15. Në kalanë e Bashtovës, aty ku venecianët e mesjetës bënin shkëmbimet tregtare, sot dallohen jo vetëm gjurmët e kohës, por edhe të indiferencës së institucioneve.

Vizitorët e kalasë unikale nuk mungojnë.

Zlatan nga Hungaria nuk e fsheh habinë që mund të vizitojë një copëz historie përmes motorit të tij dhe pa paguar asgjë.

“Është vend i qetë, luftarak, por edhe i trishtueshëm në një farë mënyre sepse ngjan si i braktisur. Kisha dëgjuar për të, ndaj kërkova pak në internet sesi mund të vija këtu. Fotografitë i bëj për miqtë e mi, që t’ju tregoj sesa e bukur është Shqipëria”

Ky monument kulture duhet të mbrohet nga shteti, por aty nuk ka as roje dhe as ciceron. Ata që kujdesen janë banoret, që besojnë në potencialin turistik të fshatit të tyre.

“Duhet te investohet në turizëm. Rruga nuk është e mirë dhe kur them infrastrukturë kam parasysh edhe mirëmbajtjen e kalasë”.

Nga bedenat e kalasë dallohet pylli i Dafinave, e pas tij bregdeti Adriatik. Është vetëm 3 kilometra larg. Ata që pushojnë ne plazhin e Vile – Bashtovës janë kryesisht banorët e Kavajës e Rrogozhinës.

“Vetëm pastrimi se uji është shumë i pastër”

“Rruga nuk është e shtruar deri në fund për të ardhur makinat, por si plazh ka vlera të paçmueshme”.

“Pylli nga njëra anë dhe deti e kthejnë Vilë – Bashtovën në një mrekulli të natyrës, por ajo që vihet re është mungesa e pastrimit përgjatë vijës bregdetare”.

Paçka vëmendjes së pakët Vilë – Bashtova mbetet një destinacion unik, nga të rrallat që për turistët ofron historinë natyrën dhe plazhin e mrekullueshëm.

Tv Klan