Rama dhe Basha përfshihen në replika

Partia Demokratike ka lëshuar kritika të forta ndaj qeverisë sa i përket mënyrës sesi po e trajton çështjen e detit me Greqinë. Ndërsa solli në vëmendje përcaktimet që bën Konventa mbi të Drejtën e Detit, selia blu nëpërmjet një deklarate për mediat, ngriti shqetësimin për mungesë transparence nga ana e qeverisë lidhur me negociatat për delimitimin e kufirit detar mes dy vendeve.

“Kjo çështje ka nevojë për transparencë dhe informacion të detajuar dhe sqarues se cfarë po ndodh, cila është hapësira ku zgjerohet shteti grek, a shkelen ligjet ndërkombëtare që rregullojnë këto çështje dhe a cënohen të drejtat dhe hapësira detare e Shqipërisë. Në vend të transparencës dhe informacionit, Kryeminstri Rama ka zgjedhur të fshihet pas sulmeve dhe gjuhës vulgare”.

PD thekson se diskutimi duhet të nisë nga përcaktimi i rolit dhe peshës së secilit ishull në përcaktimin e vijës bazë nga i cili llogaritet më pas gjerësia e detit territorial mes dy vendeve. Kjo sipas saj duhet të bëhet nëpërmjet negociatave të kujdesshme dhe në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010.

Kjo deklaratë përfshiu në një sërë replikash kreun e qeverisë Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha.

Edi Rama: Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD!Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD apo të qeshësh me këtë Artist që s’e ka shokun për të bërë sikur?Je i madh Lul, sinqerisht, shyqyr s’u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit!

Lulzim Basha: Leri dërdëllitjet prej rrugaçi Edi Rama. Bëj transparencë çfarë po ndodh me negociatat për detin. Historitë me sapun ruaji se do të duhen më vonë.

Në përgjigje të kësaj kërkese, Rama në një tjetër reagim sqaroi se negociatat janë ndalur me ndryshimin e qeverive në Greqi, ndërsa i kujtoi Bashës vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin marrëveshjes së nënshkruar prej tij për kufirin detar.

Tv Klan