Kryeministri Edi Rama ka hedhur sërish poshtë akuzat që zgjerimi i Greqisë me 12 milje në Detin Jon do të cënojë integritetin territorial të Shqipërisë.

Në një lidhje direkte me edicionin qëndror të lajmeve të orën 19:30 në Tv Klan nga Viena, Rama theksoi se Greqia është në drejtën e vetë që të zgjerohet me 12 milje në det, sipas konventës ndërkombëtare të detit.

Kryeministri u shpreh se zgjerimi i Greqisë nuk cënon ujërat shqiptare, pasi të njëjtën të drejtën, edhe Shqipëria e ka ushtruar në vitin 1990.

“Kjo është marrëzia e radhës, por dhe poshtërsia e madhe e atyre që e nxisin publikun në këtë drejtim, nga padija e tyre më së shumti, por dhe nga qëllimet që lidhen me arsyen themelore, pushtet politik, pushtet mediatik. Greqia nuk shtrihet në ujërat territorial të Shqipërisë. Deklarata e Kryeministrit të Greqisë për një shtrirje 12 milje në Detin Jon lidhet me ushtrimin e një të drejte që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit e vitit 1982 në Montego Bei, dhe është një e drejtë që Shqipëria e ka ushtruar në Mars të vitit 1990, duke depozituar në Kombet e Bashkuara dokumentin e këtij vendimi, pra është një vendim sovran i çdo shteti. Nuk është kufiri detar si gardhi mes dy parcelave, nuk është si kufiri tokësor. Ne jemi në këtë anë, rruga është në mes, dhe anën tjetër është një trotuar tjetër. Dhe ka ujëra territorial. Dhe ka ujëra ndërkombëtar, ujëra të ndërmjetëm, shellfi kontinental. Shtrirja e Greqisë në ato milje që tha Kryeministri është krejtësisht korrekte, është në të drejtën e vetë, është vendimmarrja e tyre, nuk ka lidhje me marrëveshjen tonë, nuk negociohet në marrëveshjen tonë, nuk ka lidhje çfarë mendon Shqipëria dhe çfarë thotë Shqipëria. Pjesa tjetër është një poshtërsi nga fillimi deri në fund e atyre që e bëjnë”.

Kryeministri Rama u pyet edhe për deklaratën e tij të një dite më parë, kur shprehu hapur mbështetjen për Presidentin e Malit të Zi, Gjukanoviç. Shefi i qeverisë shqiptare tha se ai mesazh ishte bindje e tij personale, por edhe për të mbështetur partinë simotër socialiste të Malit të Zi. Ndërsa mohoi kritikat që mesazhi i djeshëm të ishte përçarës për shqiptarët e Malit të Zi.

“Ne e kemi bërë përpjekje për t’i bashkuar faktorët atje, dhe ministri në detyrë, sot zv.ministër i Jashtëm Gent Cakaj, ka punuar intensivisht me faktorin shqiptar. Nëse do t’i bëja thirrje shqiptarëve për të mos votuar listën shqiptare, do ta bëja shqip siç e bëra sot. Ai ishte mesazh i kërkuar si kontribut nga partia simotër socialdemokrate e Presidentit Gjukanoviç. Ai mesazh (për Gjukanoviç), ishte bindja ime, dhe mesazhi për shqiptarët ishte mesazhi i sotëm”.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Vienë për mbledhjen e nesërme të OSBE që do të diskutojë për krizën në Bjellorusi. /tvklan.al