PDK akuza Kurtit se hyri në pazar me deputetët

Një ditë pasi dështoi seanca për zgjedhjen e Presidentes në mungesë kuorumi të votave në kuti, Lëvizja Vetëvendosje ishte kujdesur që të sigurojë jo vetëm edhe një por tre deputetë të tjerë.

Në seancën e së dielës u panë të kenë hyrë edhe dy deputetë të komuniteteve joserbe që munguan një ditë më parë ndërsa befasia ishte kur u shfaq deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës e cila deri të dielën i takonte Grupit Parlamentar të PDK-së.

Pas dy raundeve të dështuara në raundin e tretë Vjosa Osmani u bë Presidente e Republikës së Kosovës me 71 vota pro. Nuk mori vota nga tre deputetët e LDK-së Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj ndërsa 11 vota ishin të pavlefshme.

Ajo është gruaja e dytë në historinë më të re të Kosovës pas Atifete Jahjagës që bëhet Presidente.

Ka ftuar partitë politike për unitet e tolerancë. Asaj menjëherë ia dorëzoi postin Presidenti në detyrë Glauk Konjufca.

Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku duke i uruar postin e Presidentes, ka kërkuar nga Osmani që të ushtrojë rolin e saj me dinjitet.

Ndërsa Partia Demorkatike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka hyrë në pazare me deputetë për të siguruar vota për postin e Presidentes.

Duke njoftuar se kanë përjashtuar deputeten Grainca nga partia, kanë akuzuar Kurtin se u ka ofruar familjarëve të Graincës para të majme, privilegje dhe qasje në tendera, akuza këto të cilat i ka mohuar shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari Lila.

Tv Klan