Parlamenti holandez do të vendosë për votën që ky shtet do të mbajë për çeljen e negociatave për Shqipërinë vetëm pas publikimit të progres raportit të Komisioni Europiane, në fund të këtij muaji, pas zgjedhjeve të Parlamentin Europian.

Një delegacion i këtij parlamenti për 2 ditë u takuan në Tiranë me përfaqësues të lartë të qeverisë dhe opozitës, në një mision informues mbi hapat e ndërmarra për procesin e hapjes së negociatave. Anne Mulder, raporteri i parlamenti holandez për Ballkanin Perëndimor dhe 2 anëtarët e tjerë të këtij delegacioni, pjesë e të cilit ishte dhe Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane zgjodhën të bëjnë një deklaratë për mediat, por pa komentuar asgjë mbi vendim e pritshëm të Këshillit Europian, por as lidhur me situatën politike në vend.

“Një raport i përgjithshëm për vizitën tonë në Tiranë do të publikohet në faqen e parlamentit holandez në javën në vijim. Vumë re një dëshirë shumë të madhe nga ana e autoriteteve shqiptare për të vijuar me përmbushjen e kritereve kyçe të vendosura nga BE. I takon Komisionit Europian që të bëjë vlerësimet e tij dhe të propozojë një rekomandim sa i takon kërkesës së Shqipërisë për hapjen e negociatave. Ne presim me dashamirësi progres raportin e Komisionit në javët që vijojnë për ta diskutuar këtë raport në parlament pas publikimit”.

Në mesin e muajit Prill parlamenti i Holandës votoi një rezolutë për pezullimin e lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë. Por Mulde thotë se kjo çështje nuk ishte në fokusin e diskutimeve me autoritetet vendase.

“Fokusi i kësaj vizite është hapja e negociatave të Shqipërisë. Takimet që kemi patur kanë qenë shumë frytdhënëse dhe informative. E di që votimi i parlamentit holandez për pezullimin e liberalizimit të vizave ka tërhequr shumë vëmendjen në Shqipëri, por kjo çështje nuk është arsyeja e vizitës sonë dhe as ka qenë një temë që kemi diskutuar me autoritetet vendase me të cilat u takuam. Jam i sigurt që kjo çështje do të diskutohet gjatë vizitës që një delegacion i parlamentit shqiptar do të zhvilloi në Holandë në fund të këtij muaj”.

Pas Shqipërisë i njëjti delegacion do të vizitojë Maqedoninë e Veriut që ashtu si vendi ynë pret një përgjigje lidhur me çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Tv Klan