Linhart për “Ballkani i Hapur”: Vendet e rajonit duhet të vijojnë bashkëpunimin, të mbështeten nga BE

Ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka priti homologun austriak Michael Linhart me të cilin diskutoi një sërë çështjesh që lidhen me integrimin europian, stabilitetin në rajon si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Gjatë konferencës së përbashkët, ministrja Xhaçka tha se ministri austriak nuk e ka kursyer mbështetjen ndaj Shqipërisë për integrimin.

“Patëm mundësinë që të shkëmbenim mendime mbi ecurinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Procesin europian të integrimit të Shqipërisë ishte një tjetër temë  e rëndësishme e diskutimeve të zhvilluara. Pata rastin të falenderoj sërish Austrinë për mbështetjen e pakufizuar dhe të pakushtëzuar në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria ka bërë përpjekje të qenësishme për implementimin e një varg reformash të rëndësishme”.

Përvec integrimit, ministri austriak shprehu mbështetjen dhe për iniciativën ‘Ballkani i Hapur”.

“Është një gjë shumë e rëndësishme që ne këtu bashkëpunojmë kaq fuqishëm së bashku, veçanërisht nën raste krizash ne duhet ta shtrëngojmë fort njëri-tjetrin dhe ta ndihmojmë fort njëri- tjetrin. Ne kemi një dritare të hapur për shansin për të zhvilluar këto bisedime për anëtarësimin me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Këtu bëhet fjalë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë dhe intensifikojnë marrëdhëniet midis tyre”.

Ministri austriak zhvilloi një takim edhe me kryetaren e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku e cila falenderoi ministrin për mbështetjen e dhënë për Shqipërinë në procesin e integrimit europian si dhe ndihmën gjatë tërmetit të 26 Nëntorit dhe pandemisë së Covid-19.

Klan News