Partitë shqiptare në Maqedoni të përfshira me kandidatët e tyre në zgjedhjet presidenciale, do ta kenë të vështirë garën kryesisht përballë kandidatit të partisë në pushtet George Ivanov, i VMRO-DPMNE. Sondazhet rendisin të dytin nga 7 kandidatët në konkurrim për këto zgjedhje Lubor Ferckofskin, kandidatin e partisë më të madhe opozitare të Maqedonisë i LSDM-s. Ali Ahmeti kryetar i BDI-së thotë se me rëndësi në këto zgjedhje më shumë se fitorja gjithsesi hipotetike, është mbërritja në raundin e dytë e një kandidati të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ali Ahmeti: “Është shumë e rëndësishme që në balotazh të garojë një shqiptarë. Është një porosi e mirë për rajonin, për Brukselin dhe reflekton edhe marrëveshja e Ohrit, se Maqedonia është shtet multietnik dhe se shqiptarët nuk janë minoritet në vendin e tyre”.

Imer Selmani, kandidat dhe kryetar i Partisë Demokracia e Re e sheh më me optimizëm garën presidenciale. Ndoshta dhe se sondazhet e publikuara herë pas here e kanë evidentuar atë me një mbështetje të konsiderueshme në Maqedoni.

Imer Selmani: “Në fund normal pritet që të hyjnë vetëm 2 kandidat në raundin e dytë, si mbas gjithë analizave përkrahjeve, unë besoj që do të hyjë në raundin e dytë dhe pastaj shpresoj se do të ketë së pari herë në politikën e Maqedonisë një freski e re, e cila do të jetë edhe për raundin e 2 në zgjedhjet presidenciale”.

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi, liston se një ndër arsyet për futjen në garën presidenciale parandalimin  pazareve të mundshme për këtë post.

Menduh Thaçi: “E para është simbolike se ne duhet të dalim zot gjitha funksioneve këtu të llogarisim këtë shtet tonë dhe të pretendojmë që t’i drejtojmë të gjitha institucionet, e dyta është parandalimi i partisë qeveritare shqiptare që në raudin e parë të jep votat kandidatit maqedonas pa kurrfarë pazari politik dhe e treta është një shans i mirë që nëpërmjet kandidatit presidencial të sqarohen shumë përcaktime programore dhe platforma e partisë. Përmendet shpesh fenomeni Obama, është lemerike edhe në Evropë nuk ndodh asnjëherë, sidomos në Maqedoni nuk ndodh asnjëherë për shkak se Obama ndërroi gjuhën dhe pranoi gjuhën e të bardhëve, pranoi fenë e të bardhëve, civilizimin dhe kulturën. Nuk do të gjeni asnjë shqiptarë ashtu të pranoj civilizimin dhe kulturën maqedonase gjuhën dhe fenë e tyre”.

Qytetarët mendojnë se Maqedonia nuk është ende gati për një president shqiptarë, një konstatim që tingëllon shumë racional.

Gazetarja: A besoni se mund të ketë ndonjëherë ndonjë president shqiptarë?

“Po mendoj se ende s’është koha për të jetë president shqiptarë”.

“S’ka shanse të jetë shqiptari”.

“Ka mundësi, po varet prej shqiptarëve. Nëse bashkohen shqiptarët mundet a nëse nuk bashkohen, jo”.

“Nuk kam një bindje të tillë”.

Menada Zaimi: “Në Maqedoni sidomos në komunat e dominuara dhe nga shqiptarët, thuhet hapur se maqedonasit nuk do të votonin asnjëherë një shqiptarë si president të ardhshëm të vendit, e kundërta thuhet me rezervë. Kjo ndoshta i ka hapur rrugë dhe ideve konspirative se futja e kandidatëve shqiptarë në garën presidenciale është për të favorizuar njërën apo tjetrën palë, po një gjë është e sigurt se lindja e fenomenit Obama është ende herët të ndodhë në Ballkan”./tvklan.al

Nga Tetova për TV Klan informon Menada Zaimi