Përkeqësohet situata në Spitalin Infektiv

Dy viktima të tjera iu shtuan bilancit të jetëve të humbura nga koronavirusi në vendin tonë duke e çuar totalin në 83.

“Pacientet 58 dhe 59 vjeç nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, nuk mundën të mbijetojnë me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe terapinë e trajtimit”.

Serioze e konsideron Ministria e Shëndetësisë situatën në Spitalin Infektiv ku vijojnë të shtohen të shtruarit, por edhe pacientët në gjendje të rëndë.

“Situata në Spitalin Infektiv paraqitet serioze, ku ka rëndim të gjendjes shëndetësore të pacientëve në terapi intensive dhe është rritur numri i pacientëve të intubuar. Aktualisht janë të shtruar 83 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rëndë”.

Nga 397 testime të kryera në 24 orët e fundit në të gjithë vendin, janë konfirmuar 68 raste pozitive.

“24 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 8 në Kukës, nga 5 raste në Vlorë, Berat, nga 3 raste në Elbasan, Lezhë, Kavajë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Korçë dhe nga 1 rast në Divjakë dhe Lushnje”.

47 janë shëruar në 24 orët e fundit, por në të gjithë vendin numërohen 1232 persona aktivë me Covid, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës. Ministria përsërit apelin për të respektuar masat pasi në spital po shtohen edhe moshat e reja.

Tv Klan