Infektohet edhe kryetari i PD, Nicola Zingaretti

Vetëm në 24 orët e fundit 86 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Itali. Numri i viktimave ka arritur në 233, të prekurit janë afro 4 mijë. Më problematike situata paraqitet në Lombardi, ku numërohen mbi 2 mijë e 600. Kritike është ajo edhe në Veneto, Piemonte, Liguria si dhe Emilia-Romagna.

Pozitiv në analizat e koronavirusit ka rezultuar se fundmi kryetari i Partisë Demokratike italiane, Nicola Zingaretti, si dhe truproja i ish-ministrit të Brendshëm të Italisë, Matteo Salvini. Nëpërmjet një videomesazhi, Zingaretti u shpreh se është mirë, por i duhet të vetëizolohet. Edhe Salvini ka reaguar duke thënë se nuk ka qenë në kontakt me truprojën.

Së fundi, Covid-19 ka prekur edhe Maltën, me infektimin e një vajze 12-vjeçare, e cila ishte kthyer nga Italia. Virusi u ka marrë jetën më shumë se 3,400 personave në mbarë botën dhe ka prekur rreth 101,400 të tjerë, shumica e të cilëve në Kinë.

Mëngjesin e kësaj të shtune, zv/Presidenti amerikan Mike Pence ka konfirmuar bllokimin e një anije të ankoruar në San Francisko. Në mesin e ekuipazhit dhe pasagjerëve të më shumë se 50 shteteve të botës, kanë rezultuar pozitiv 21 persona. Në Iran, autoritetet raportuan se mes 124 viktimave të koronavirusit është edhe një deputete 55-vjeçare.

Tv Klan