Dyfishohet kapaciteti i ujëmbledhësit të Bovillës

Më shumë se 62% e Tiranës do të furnizohet 24 orë me ujë të pijëshëm. Ujësjellësi i Bovillës, që dyfishon sasinë e ujit, i jep fund këtij problemi 30-vjeçar. Nga impianti i ri Kryeministri Edi Rama tha se ky investim do të pasohet me të tjerë që pritet të furnizojnë me ujë 24 orë edhe 62 zona urbane.

“Po investojnë në 55 zona urbane nga 7 zona që deri në 2013 numëroheshin si zona plotësisht të furnizuara me uje. Këto 55 zona mbeten jashtë listës. Ne shkojmë në 62 zona urbane të Shqipërisë që do të furnizohen me 24 orë ujë brenda Shtatorit të vitit të ardhshëm. Mesatarja e furnizimit me ujë është 5 deri 7 orë në ditë, sot mesatarja e furnizimit është 16 orë”.


Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky investim i shërben 650 mijë banorëve të kryeqytetit. Me filtrimin e ri do të rritet edhe cilësia e ujit, por çmimi do të mbetet i njëjtë.

“Sot jemi në një Tiranë me 1 milionë banorë, ku qartazi nëse nuk dyfishojmë dhe nuk punojmë me dyfishin e ritmit, jo vetëm për të mbajtur rritjen e popullsisë, por mbi të gjitha për të ruajtur dhe rikuperuar të gjithë ato humbje që kemi pasur nga e kaluara, ne nuk ia dalim dot. E di që ka shumë veta që thonë: Po patjetër sepse u rrit çmimi. Çmimi në qytetin e Tiranës është sot 65 lekë. Ne në fakt fizikisht sot, për metër kub ka kandidatë për të bërë punët e shtetit të cilët mendojnë që çmimi i qumështit në fakt është më i lirë se çmimi i ujit. Kjo është e pavërtetë, dhe duket dikush që çohet në 11:00, nuk ka bërë kurrë pazar, nuk ia ka idenë e çmimeve. Nëse thotë që çmimi i një litri qumësht dhe po thoshte që ka vajtur sa uji, 130 lekë, me aq lekë blen 2 metra kub ujë, pra blen 2 mijë shishe qumështi të mbushura me ujë dhe kjo është diferenca mes atyre që kanë menaxhuar dhe dinë të menaxhojnë”.

Tv Klan