Bankat: Me detyrim që bizneset të ofrojnë pagesa alternative

Shoqata e Bankave i ka propozuar zyrtarisht institucioneve që të bëjnë të detyrueshme për të gjithë tregtarët në Shqipëri dhënien e mundësisë alternative të pagesës me kartë ose sisteme e-banking, përveç asaj në “Cash”.

Sipas të dhënave të bankave, në afro 90% të transaksioneve që realizohen në tregun e shitjeve në vendin tonë dominon paraja në dorë. Spiro Brumbulli, sekretar i Shoqatës së Bankave tha se mund të konsiderohet bërja e detyrueshme e kësaj mundësie duke ndjekur modelin e Greqisë.

“Duhet ta bëjmë në mënyrë të detyrueshme siç e ka bërë Greqia pas krizës që çdo tregtar duhet të ofrojë kanal alternativ. Nëse nuk është karta duhet të ekzistojë një alternativë tjetër. Ne po insistojmë me Bankën e Shqipërisë, “instant payment”, të paktën të bëhet real dhe nëse nuk kam kartë e bëj nga llogaria direkt”.

Gjatë muajve të pandemisë ka patur rritje të numrit të blerjeve me kartë dhe pagesave online, por sërish Shqipëria renditet e fundit në rajon.

“Karta i duhet qytetarit, i duhet ekonomisë, luftës kundër informalitetit, transparencës”.

Në fund të Shtatorit, paraja në qarkullim jashtë kanaleve zyrtare të bankave arriti vlerën 2 miliardë e 656 milionë euro, dukë pësuar një rritje me 365 milionë euro krahasuar me një vit më parë.

Tv Klan