Sjellja agresive në gjysmëfinalen e Superkupës së Arabisë Saudite i kushton sërish Cristiano Ronaldos. Portugezi është pezulluar me dy ndeshje për shkak të kartonit të kuq të marrë kundër Al Hilal.

Ronaldo skualifikohet për dy ndeshjet e radhës në kampionatin arab të futbollit, kundër Al Khaleej dhe Al Fayha. Kjo nuk është hera e parë që Ronaldo përballet me ndëshkime të rënda në Arabinë Saudite.

Më parë, sulmuesi 39-vjeçar tashmë ishte pezulluar për një gjest të pahijshëm ndaj tifozëve të klubit Al Shabab. Me atë rast ai humbi një ndeshje, por edhe u gjobit për shifrën e rreth 6 mijë Eurove.

Sjelljet e portugezit në fushën e lojës janë lidhur shpesh me koret e tifozëve të skuadrave rivale, të cilët nuk kanë nguruar ta thumbojnë duke përmendur emrin e Lionel Messi. Në sezonin aktual, Ronaldo ka shënuar 29 gola dhe ka dhënë 10 asistime në 25 ndeshje të Pro League në Arabinë Saudite.

Klan News