Shqipëria është një nga vendet që ka tarifat më të larta në rajon për linjat e fluturimit. Në vazhdën e negociatave me koncesionarin e aeroportit të Tiranës, qeveria ka vendosur që të bëjë dhe një gjest simbolik, duke ulur tarifat që kompania shtetërore Albconrol u merr avionëve. Për çdo aeroplan që fluturon nga vendi ynë, tarifa që do të paguhet këtë vit është 227.82 Euro, nga 244.62 Euro që ishte në 2018-n.

“Tarifat që paguhen nga kompanitë e fluturimit për llogari të Albcontrol, kompanisë publike që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore, për këtë vit do të jenë 7.4% më të ulëta. Qeveria ndërkohë është në negociata për të ulur edhe tarifat që u vendos linjave ajrore koncesionari i Rinasit”.

Nga viti 2017 tarifat që Kompania e Navigimit Ajror në Shqipëri u vjel linjave të fluturimit janë rritur. Kjo është hera e parë pas tre vitesh që Albcontrol ka ulur pagesën. Në 2017-n tarifa për këtë shërbim shkoi në 202 euro nga 158.7 euro që ishte në 2016-n.

Të gjitha kostot që paguajnë kompanitë e fluturimit për tarifa shërbimi aeroportuale reflektohen në çmimin e biletës për qytetarët shqiptarë.

Një javë më parë qeveria nisi negociatat me Aeroportin e Tiranës për të bërë reflektimin e balancës së drejtë ekonomike, pasi fitimet e koncesionarit janë rritur më shumë se skenari bazë i rënë dakord në fillim të kontratës. Sipas llogarive të ekspertit të pavarur që ka kontraktuar Aviacioni Civil, Koncesionari i Rinasit ka mbledhur 120 milion dollarë të ardhura më shumë se parashikimi për vitet 2004-2017.  Shqipëria është një ndër vendet që ka çmimet më të larta të biletave të fluturimit në rajon.

Tv Klan