Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar për anëtarin më të ri të kësaj partie, i cili e ka lënë e LDK-në për t’iu bashkuar atij. Bahri Blakçori ishte asamblist i LDK-së në komunën e Podujevës, ndërsa tashmë do të jetë pjesë e VV-së, njofton Klan Kosova.

“Ai ka diplomuar në nivelin Master në Edukim Fizik dhe Sport si dhe në atë Bachelor në Teknologji Informative. Punon në shkollën e mesme të lartë “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë si profesor i Edukimit Fizik dhe Sportit. Ka qenë i angazhuar si asistent edhe profesor në Kolegjin “UNIVERSI”. Po ashtu, ka qenë trajner për disa vite në klubin e futbollit “Llapi” me gjeneratën U-19. Në vitet 1997-1998 në katedrën e Politeknikës ishte kryetar dhe udhëheqës i aktivitetit dhe protestave studentore”, ka shkruar Kurti.

“Në Lëvizje e mirëpritëm me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe Drejtorin e Arsimit atje, Avni Fetahu”./klankosova