Kancelarja gjermane, Angela Merkel vjen sot në Tiranë në vijim të turit të saj të lamtumirës në Ballkanin Perëndimor. Sipas axhendës së përcaktuar ajo do të mikpritet në Pallatin e Brigadave dhe më pas do të ketë një takim kokë më kokë me Kryeministrin Edi Rama që do të pasohet me një takim bilateral mes dy delegacioneve.

Më pas takimet do të zhvendosen në Tirana Biznes Park ku do të mbërrijnë krerët e qeverive të rajonit. Ndërsa në orën 14:35 është parashikuar një konference për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Kancelares.  

Në kuadër të masave për sigurimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të takimit të Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë dhe Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në vendin tonë, policia ka marrë disa masa shtesë.

Për këtë pritet bllokim i disa akseve dhe devijim i lëvizjes së automjeteve, konkretisht në Rinas-Unaza e Re, Sauk, Rruga e Elbasanit deri tek Pallati i Brigadave.

Ndaj policia kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve që të shmangin lëvizjen në këto segmente rrugore, me qëllim moskrijimin e mbingarkesës në trafik nga ora 09:00 deri në orën 13:00 të datës 14 shtator, si dhe të përdorin rrugë alternative për të shkuar në destinacionet e tyre./tvklan.al