Interi është rikthyer në vështrimin e investitorëve sauditë. Sipas asaj që raportohet në mediat italiane, bisedimet kanë nisur tashmë mes presidentit zikaltër, Steven Zhang për një shitje të mundshme të klubit. Blerësi duket se ka lidhje me familjen mbretërore saudite, pasi ka pasur edhe në të kaluar interes për futbollin italian. Duke iu refeurar burimeve të mediave italiane, Juventus ka qënë në lupën e tyre, por pa sukses. Pas ofertës duket se është një anëtar i familjes në pushtet, Al-Saud. Bisedimet po zhvillohen mes Londrës, Milanos, Riadit dhe Kinës, ku Zhang ndodhet prej muajsh.

Nuk ka siguri për rezultatin e negociatave dhe burime pranë pronarëve bëjnë me dije se vitet e fundit shumë subjekte të Lindjes së Mesme kanë shfaqur interes për Interin. Klubi italian vlerësohet në treg rreth 1.2 miliardë euro. Zhang është gati për të dëgjuar ofertat, pasi më 20 maj skadon marrëveshja e huazimit prej 275 milionë euro nga fondi amerikan, Oaktree, që i dha të drejtë familjes së tij për të kontrolluar shumicën e aksioneve të klubit zikaltër. Paralelisht po zhvillohen negociata mes Zhang dhe fondit për shtyrjen e datës së likujdimit të kredisë.

Një tjetër hipotezë është se pronarët kinezë të Interit dueht të gjejnë një subjekt tjetër të gatshëm për të huazuar paratë e nevojshme për të mbyllur borxhin brenda afatit. Opsioni i fundit është pikërisht që dikush dëshiron të marrë përsipër klubin, që po shkon drejt fitores së titullit kampion të Serie A për herë të 20 në histori.

Klan News