Një 29 vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi bashkë me babain e tij kontrabandonin nga Turqia veshje me logo false të markave të njohura dhe i shitnin me çmime të larta.

Sipas bluve, ata i shisnin këto veshje në dy subjekte në rrugën “5 Maji” në kryeqytet.

Kujtojmë se 59 vjeçari po ndiqet penalisht, pasi rasti u zbulua para 3 ditësh.

“Vijon operacioni policor i koduar “Brands”, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.  Vihet në pranga 29-vjeçari i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni. 29-vjeçari, në bashkëpunim me babain e tij, kontrabandonin nga Turqia, veshje të ndryshme, i stamponin logo false të markave të njohura dhe i shitnin me çmime shumë të larta.

Më parë, gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 1000 konfeksione të ndryshme, logo dhe etiketa false të disa markave, si dhe një pajisje për stampimin e tyre.  Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë vijuar operacionin policor të koduar “Brands”, dhe kanë ndaluar shtetasin në kërkim D. A., 29 vjeç.  29-vjeçari, në bashkëpunim me babain e tij, magazinonin në banesën e tyre dhe në dy subjekte në rrugën “5 Maji”, mallra (veshje) të dyshuara të kontrabanduara nga Turqia, të cilave i vendosnin logo dhe etiketa të markave të njohura, me qëllim për t’i shitur me çmime shumë të larta. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë./tvklan.al