Priten përgjigjet e analizave për 14 të afërm të tyre

Viktor dhe Paulin Kola të moshës 54 dhe 28 vjeç nga Tirana janë dy rastet e para të prekur me koronavirus në vendin tonë. I riu ka qëndruar për disa ditë në Firence dhe në 26 Shkurt ka hyrë në vendin tonë me automjetin e tij nga pika kufitare e Muriqanit.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ai ka infektuar edhe babain e tij. Për më shumë se 10 ditë babë e bir nuk kanë shfaqur shenja klinike deri në ditën e diel, kur kanë kontaktuar edhe me urgjencën kombëtare.

Babë e bir po marrin mjekim në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë. Janë 14 persona që kanë patur kontakte të ngushta me dy të prekurit me koronavirus, për të cilët priten të dalin përgjigjet e analizave për Covid-19.

Ndërsa 24 persona të tjerë po qëndrojnë në karantinë, një pjesë brenda banesës së tyre dhe pjesa tjetër në vendin karantinë, tek shtëpia e pushimit në Durrës, që njihet si Kavalishenca.

Burime pranë Spitalit Infektiv bëjnë me dije se edhe një person i tretë qëndron i shtruar si i dyshuar me koronavirus, për të cilën po priten analizat. Për të parandaluar përhapjen e virusit perimetri përreth urgjencës dezinfektohet shpesh herë. Janë pezulluar edhe ndërhyrjet kirurgjikale, përveç rasteve urgjent dhe me sëmundje malinje.

Tv Klan