200 milionë $ ndahen mes 12 bankave

Pavarësisht ngadalësimit të rritjes ekonomike, fitimi i bankave tregtare në Shqipëri njohu një rritje me 8% në fund të vitit 2019, krahasuar me një vit më përpara.

12 banka të mbetura në sistemin bankar të vendit kanë ndarë mes tyre afro 200 milion dollarë fitime. Trendi i fitimeve nuk  është prekur as në tremujorin e fundit, ku shumë sektorë pësuan tkurrje të aktivitetit të tyre për shkak të tërmetit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, shumica e fitimeve është vjelë nga të ardhurat e arkëtuara të interesave të kredive, të cilat kapën një vlerë prej 500 milion dollarësh, ndërsa pagesat për interesat e depozitave zunë vetëm 17% të kësaj shume, 81 milion dollarë.

Një peshë të konsiderueshme në strukturën e të ardhurave zunë edhe komisionet dhe penalitetet për vonesat e kredive. Ky zë në fund të 2019-ës arriti në 110 milion dollarë.

Fundi i vitit 2019-ë, shënoi edhe nivelin më të ulët të kredive me probleme, duke zbritur peshën e tyre në 8.37% të portofolit të huave të dhëna.

Një vit më parë niveli i kredive të këqija ishte 11.08%, ndërsa në 2013-ën vlera e lartë e tyre u shndërrua në një shqetësim të madh për sektorin, pasi zuri një të katërtën e të gjithë huasë së dhënë të sistemit bankar.

Tv Klan