Basha: Ndryshimet kushtetuese i hoqën mandate PD-së



Basha: Ndryshimet kushtetuese i hoqën mandate PD-së

16:31 12/05/2021

Debatet brenda partisë, kreu i PD-së: T’i mirëprësim kritikat konstruktive, qeveria i ka ditët e numëruara

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar takimet me qytetarët pas humbjes së zgjedhjeve  parlamentarë të 25 Prillit. Nga Lezha, Basha tha se ndryshimet kushtetuese hoqën mandatet e PD.

Teksa akuzoi qeverinë për presion ndaj administratës gjatë fushatës zgjedhore, kryedemokrati tha se më 25 Prill u bë vjedhja më e madhe e zgjedhjeve në historinë e Shqipërisë.

Ishte marifeti i ndryshimeve anti-kushtetuese të 5 Tetorit dhe ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës në 30 Korrik, i hoqi mandatin e pestë koalicionit tonë në Lezhë. Me kërcënimet dhe shantazhet për largimin nga puna të administratës publike, po bëjnë gjithçka të çorodisin opinionin publik për ta shitur vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në histori si një fitore të tyren dhe si një humbje të PD-së dhe opozitës.

Kreu i demokratëve pati dhe një paralajmërim për qeverinë socialiste.

“Nuk do të ketë paqe asnjë çast derisa vala e ndryshimit që kemi ngritur së bashku ta përmbys, ditët e tyre janë të numëruara. Ne nuk do të lëmë asnjë mjet pa përdorur, pa çliruar energjinë e jashtëzakonshme dhe dëshirën e njerëzve për ndryshim dhe le të bëhemi gati që njeriut që ndërtoi skemën kriminale dhe orkestroi masakrën elektorale të 25 Prillit dhe aleatëve të tij kriminel t’i tregojmë vendin një orë e më parë”.

Ndërsa ju përgjigj edhe kritikëve brenda partisë.

“Partia Demokratike ka qenë dhe është një shtëpi e madhe ku gjithkush ka dhe do të ketë kontributet e veta, sakrificën, lirinë e vetë për shprehjen e mendimit. Ka të mirat, gabimet dhe të këqijat e veta dhe këtu fus këdo duke filluar nga vetja ime, por në shtëpinë tonë të madhe nuk ka të tepërt”.

Basha tha se Partia Demokratike do të vijojë betejën për të sjell ndryshimin në Shqipëri, teksa iu kërkoi mbështetje qytetarëve për të larguar qeverinë “Rama”.

Klan News







Të ngjashme