“Do e vija në pozita inferioriteti. Kam 95 % mbështetje”

Lulzim Basha ka refuzuar sfidën e bërë nga Sali Berisha për të zbritur së bashku në bazë e për t’u perballur me anëtarësinë. Në një konferencë për shtyp, kryedemokrati tha se preferon të mos e vërë në pozita inferioriteti liderin historik të demokratëve.

“Kam dalë më shumë se çdo kryetar i Partisë Demokratike këto 30 vite e do të dal përsëri. Por unë nuk jam nga ata që shfrytëzojnë momente të tilla për të bërë garë se kush e ka autokolonën më të gjatë dhe kush mbush sallat më shumë”. Sepse e di që është një garë e lehtë për mua dhe nuk është e drejtë ndaj askujt, as ndaj z.Berisha ta vendos në pozita të tilla inferioriteti”.

Thotë se është më i votuari dhe se gëzon mbështëtjen e demokratëve, teksa pyetet për sonazhet që e nxjerrin humbës përballë Sali Berishës.

“Sipas sondazheve të mia, 95% e demokratëve kërkojnë që unë të udhëheq betejën kundër regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe mbështesin axhendën e përcaktuar nga unë për të pastruar politikën nga llumi i tranzicionit”.

Madje shkon edhe më tej kur shprehet se opozita do kishte 94 mandate në Parlament për të kaluar ndryshimet kushtetuese nëse nuk do kishte ndodhur masakra elektorale e 25 Prillit.

“Edhe nëse masakra zgjedhore e 25 Prillit s’do kishte ndodhur e PD do ishte aty ku shqiptarët e donin dhe e duan në qeverisje të vendit, s’kam asnjë dyshim se do të kishim 94 votat e nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën”.

Ndonëse nuk dha emra të atyre që i cilësoi llum i qeverisjes së demokratëve, Basha paralajmëroi të gjithë mbështëtësit e Foltoreve të Sali Berishës për fundin politik që i pret.

“Ndaj ndokujt që është i paqartë apo i zemëruar, të qetësohet dhe të qartësohet. Ndërsa oportunistëve dhe inatçorëve iu them që rruga pa krye ku jeni futur dhe abuzimi që i bëni gjendjes aktuale të ish-kryetarit historik, do t’ju vijë me faturën që s’ua kam dhënë këto 8 vite, politike sigurisht”.

I prerë ishte kur tha se nuk do të lejojë mbajtjen e Kuvendit, pavarësisht mbledhjes së firmave nga ana e Sali Berishës.

“PD ka rregulla dhe statut, institucione paralele nuk do ketë”.

Por a do e kushtëzojë votën e saj në Parlament opozita, të ndryshimeve kushtetuese me nismën e mazhorancës që kërkon zgjatjen e afateve për organet e Vettingut në këmbim të paketës për ndryshime kushtetuese?

“Do diskutohet njëherë ç’a kanë bërë këta njerëz, pse kanë qenë të ngadalta a janë vënë përpara presioneve ata, një analizë të plotë që të vendosim çfarë është më e mira për qytetarët. Gjithçka do vendoset jo në formë ultimatumi por në interes të qytetarëve”.

E sa për Vettingun  në politkë, Basha fton që ai të nisë me të të parin.

Tv Klan