Sali Berisha deklaroi gjatë komunikimit me gazetarët pas shpalljes së rezultatit të referendumit se Edi Rama mban peng Lulzim Bashën. Ai u shpreh se në selinë e PD është vendosur një togë e RENEA-s dhe Gardës për të mbrojtur Bashën.

“Edi Rama mban peng Bashën. Shikoni aty është një togë e RENEA-s një togë e Gardës. E kanë rrethuar në mënyrë të turpshme, por ato janë taksa të shqiptarëve. Që të ruash “Lul bravën”  më mirë ndërroja bravën dhe mos i ço rojet”, tha Berisha.

Por kjo deklaratë e ish-kryeministrit solli reagimin e njëpasnjëshëm të Lulzim Bashës, Edi Ramës dhe në fund, Policisë së Shtetit.

Kryedemokrati u pyet gjatë konferencës që zhvilloi në selinë blu, aty ku disa minuta më parë në oborr, Sali Berisha shpalli rezultatin e referendumit që ishte zhvilluar për shkarkimin e Bashës. Duke mos lënë pas ironinë, Basha u shpreh se PD nuk ka nevojë për RENEA-n dhe Gardën.

“Këta dy personat me maska njëri është i RENEA-s dhe njëri i Gardës, por nuk po i marrim vesh kush është i RENEA-s dhe kush i Gardës. Ky më duket është i RENEA-s dhe ky duhet të jetë i Gardës. Meqë po na e ktheni këtë pjesë, bëni mirë se kishte filluar t’u imponohej qytetarëve si punë stresi. Njëherë tha persona të armatosur. Sot ka thënë që paska pasur RENEA. Nesër do të thotë që ka marinsa. PD nuk ka nevojë as për RENEA-n as për Gardën. PD është shtëpia e lirisë, është shtëpia e demokratëve dhe është zemra, pasioni, vlera e parimeve të demokratëve që e mbajnë bashkë edhe do i përgjigjen për çdo situatë”, tha Basha.

Fill pas kësaj reagoi edhe Kryeministri Edi Rama. Siç tha edhe një natë më parë gjatë emisionit “Zonë e Lirë” në Tv Klan se ai vetë dhe qeveria i tij nuk kanë punë të përzihen në territorin e një partie politike, në një postim në Twitter u shpreh se “s’ka asnjë punë me kacafytjen e dy kufomave politike njëra grata tjetra nongrata”. Ndër të tjera, kreu i qeverisë thotë se Basha e Berisha e kanë futur PD-në në inceneratorin e marrëzisë së tyre.

“Unë s’kam asnjë punë me kacafytjen e dy kufomave politike njëra grata tjetra nongrata që e kanë futur Partinë Demokratike në inceneratorin e marrëzisë së tyre.Policia e Shtetit jo e jo që nuk ka asnjë lidhje me tymin e marrëzisë që po djeg PD. Keqardhje për demokratët e thjeshtë”, tha Rama.

Reagimi i fundit ishte i Policisë së Shtetit. Pasi janë përmendur disa herë në selinë blu, zyra e shtypit e uniformave blu u shpreh se përgojimi i Policisë së shtetit në debatin e brendshëm të një partie politike nuk i shërben as ligjit, as shoqërisë dhe as të vërtetës. Policia e shtetit mohoi që të ketë pasur trupa në territorin e selisë së PD.

“Përsërisim me keqardhje se përgojimi i Policisë së Shtetit në debatin e brendshëm të një partie politike nuk i shërben as ligjit, as shoqërisë dhe as të vërtetës. Policia e Shtetit nuk ka pasur asnjë trupë të vetme në territorin e asaj partie.  Policia e Shtetit nuk ka asnjë lidhje me akuza apo pamje të servirura në media, nga aktorë të caktuar politik dhe mediatik. Policia e Shtetit kryen detyrën e saj konform ligjit dhe misioni i saj nuk e përfshin kurrsesi ndërhyrjen në çështjet politike apo mes palëve politike”, thuhet në reagimin e Policisë./tvklan.al