Nga mbledhja e Kryesisë, menjëherë pasi Sali Berisha shpalli rezultatin e referendumit që votoi pro shkarkimit të tij, Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat. Më poshtë gjeni deklaratat kryesore të Bashës.

Basha: Sali Berisha nuk do të jetë më pjesë e organeve drejtuese të PD, është i përjashtuar

Lulzim Basha deklaroi këtë të shtunë se Sali Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i PD dhe Këshilli Kombëtar dhe për këta arsye nuk do të jetë më pjesë e organeve drejtuese të Partisë Demokratike. Basha shtoi se Berisha do të vijojë të qëndrojë anëtar i PD deri në momentin që të gjykohet se ai dëmton rëndë interesat politike dhe elektorale të PD.

“Sali Berisha është përjashtuar tashmë si anëtar i Grupit Parlamentar të PD, si anëtar i Këshillit Kombëtar për shkak të vendimit të Kuvendit Kombëtar. Rrugët e Sali Berishës me organet drejtuese të Partisë Demokratike janë të ndara. Me veprimet e tij është vetëpërjashtuar. Detyra jonë nuk është të merremi me të. Sa herë hipën dhe zbret shkallë Sali Berisha është puna e tij.

Në ditët e ardhshme Sali Berisha mund të hipë shkallët, mund të zbresë shkallët. Mund të thërrasë protesta kundër Blinkenit, kundër kujtdo që mendon ai. Mund të krijojë celula e organizata me orientim antiamerikan. Mund të bëjë çfarë të dojë, por nuk do të jetë më pjesë e organeve drejtuese të PD. Është i përjashtuar për shkak të vendimit të Kuvendit. A do të jetë anëtar? Deri në momentin që të gjykohet se ai dëmton rëndë interesat politike dhe elektorale. Deri më tani sjellja e tij është qesharake”, tha Basha.

Basha: Të thërrasësh referendum e të hipësh mbi makinën e Kryetarit është tallje me demokratët

Lulzim Basha ripërsëriti se sot Partia Demokratike ka pasur vetëm 1 aktivitet politik, Kuvendin Kombëtar të thirrur sipas statutit të saj. Në konferencën për mediat që erdhi pas shpalljes së rezultatit të referendumit pro shkarkimit të tij, ai tha se ishte njoftuar që makina e cila merret me qira për kryetarin e PD ishte dëmtuar, pasi dikush kishte hipur sipër. Basha tha se të thërrasësh referendum se do hipësh në pushtet dhe të hipësh në veturën e kryetarit të PD është tallje me demokratët.

“Sot PD ka pasur vetëm 1 aktivitet politik, Kuvendin Kombëtar të thirrur sipas Kushtetutës së saj. Kushtetuta jonë, që quhet statuti i PD, i votuar edhe me votën e Berishës më 17 Korrik të këtij viti parashikon qartë që sot ka ndodhur vetëm një aktivitet politik i PD, Kuvendi Kombëtar i cili ka marrë vendimet me votën e 5004 delegatëve. Gjithçka tjetër mund të ketë qenë mirë për disa njerëz që kanë dashur të dalin dhe të shprehin ndonjë mendim. Mund të ketë qenë edhe më mirë për konsumin e disa prej kafeneve apo restoranteve ku ka ndodhur prenotime. Ka pasur edhe ndonjë dëm, siç më thonë që paska pasur një dëm ndaj veturës që merr PD me qira për kryetarin, por në fund të fundit këto janë dëme kolaterale dhe e vetmja gjë që mund të them është që të thërrasësh referendum se do hipësh në pushtet dhe të hipësh në veturën e kryetarit të PD është paksa tallje me demokratët. Ndaj nëse nesër do të kemi një referendum kundër sekretarin Blinken për ta shkarkuar, pasnesër për të shkarkuar Biden dhe pasnesër ndonjë tjetër referendum të kësaj natyre, të gjithë e kuptojmë që kjo është një tallje e madhe. Dhe ndonëse ne e kemi bërë ndarjen me të kaluarën, prapë se prapë kjo nuk më çliron nga keqardhja në nivelin ku ka rënë i zoti i të ashtuquajturit referendum”, tha Basha

Basha: Berisha pjesë e së shkuarës. Nuk tërhiqem 1 milimetër nga beteja ime

Lulzim Basha tha mbrëmjen e kësaj të shtune se ai apo kushdo tjetër të ishte në drejtim të Partisë Demokratike nuk ka përse jep dorëheqjen, sepse Sali Berisha u shpall non grata. Sipas tij, dorëheqjen duhet ta kishte dhënë ky i fundit, për të ruajtur dinjitetin e tij, por edhe të demokratëve. 

“Është qesharake pasi është shpallur non grata, pasi i është dhënë shansi të tërhiqet me nder dhe dinjitet nuk arrin dot të ruajë grintën, të ruajë edhe fijen më të fundit të dinjitetit njerëzor dhe kalon në kërcënime ndaj deputetëve të PD. Ndoshta nuk është edhe aq qesharake kur rri e mendon, ndoshta kështu ka qenë… Dhe ndoshta për një kohë të gjatë, ne përfshirë dhe mua, kemi qenë maska e një sjellje të tillë. Por kjo tashmë ka marrë fund, Sali Berisha është e shkuara, ne jemi shkëputur nga kjo e shkuar. Për çdo demokrat që kërkon t’i bashkohet betejës kundër regjimit të Edi Ramës, jam gati të bëjë gjithçka në dorën time, dhe jam i bindur që këtu shpreh edhe ndjesinë dhe mendimin të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, të kryesisë së PD, të Këshillit Kombëtar të PD, që është shprehur me votë dhe të kuvendit kombëtar të PD, 5004 delegatët e të cilit u shprehën me votë. Asnjë kryetar i PD kushdo që të jetë nuk ka përse të japë dorëheqje kur shpallet Sali Berisha non grata. Dorëheqjen duhet ta jepte Sali Bërisha që të ruante në radhë të parë dinjitetin e vet siç premtoi, në radhë të dytë PD nga kostot e pamerituara, që i jep demokratëve që kanë sakrifikuar kaq shumë edhe për të. Por ai vendosi rrugën që vendosi dhe PD mori vendimet që kishte për të marrë. Në nivelin e kryesisë, Këshillit kombëtar dhe Kuvendit Kombëtar”.

Duke e konsideruar çështjen e ish-kryeministrit Berisha si pjesë të së shkuarës, Lulzim Basha deklaroi se beteja e vetme e tij është ajo me qeverinë dhe në këtë pikë ai tha se nuk ka ndërmend të tërhiqet asnjë milimetër.

“Ndaj tani i gjithë fokusi i ynë nuk do të jetë e shkuara, nuk do të jetë ai, por do të jetë e ardhmja e shqiptarëve. Ne kemi një pengesë të madhe përballë, për të hapur rrugën për të ardhmen e shqiptarëve që është një regjim i korruptuar, qeveria më e korruptuar e Europës, gjysma e së cilës në një vend normal sot duhet të ishte në paraburgimin e SPAK. Ne do të luftojmë që Shqipëria të kthehet në një vend normal dhe vend normal do të thotë vend me mirëqenie. Nuk i duam atje sepse janë kundërshtarët tanë politikë. E kanë vendin atje sepse janë armiq të mirëqenies së shqiptarëve. Me ta e kemi betejën dhe e sigurt të jeni ju dhe kushdo tjetër që akoma nuk e kishte dëgjuar përgjigjen: nuk kam ndërmend të tërhiqem një milimetër nga kjo betejë dhe nga përgjegjësi me të cilën më kanë ngarkuar demokratët me një anëtar një votë për t’i prirë kësaj beteje deri në fitore”.

Basha: Sot PD është pastruar nga hijet e së shkuarës

Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat pasi Sali Berisha shpalli rezultatin e referendumit për shkarkimin e kreut të PD-së.

Basha falenderoi delegatët që morën pjesë në Kuvendin që zhvilloi ditën e sotme. Basha foli edhe për ndryshimet që u miratuan sot dhe tha se e bënë këtë sepse ishte diçka që e prisnin shqiptarët.

Po ashtu ai tha se sot PD është pastruar nga hijet e së shkuarës.

Lulzim Basha: Kam marrë mesazhe edhe nga Kosova. Sot PD është pastruar nga hijet e së shkuarës. Është më pranë qytetarëve. Jemi e para parti politike në Ballkan që jetësojmë aleancën me qytetarët për rikthimin e demokracisë si një institucion në PD për nxjerrjen e vendit nga kriza shumëplanëshe./tvklan.al