Arifi: Të sëmurët kanë simptoma më të lehta

Klasterët e dasmave, javën e fundit, rritën infektimet në Rajonin e Komunës së Tetovës. Autoritetet shëndetësore thonë se situata është nën kontroll kurse kontaktet janë izoluar dhe karantinuar, kurse ka filluar rënia e infektimeve të reja. Sipas MSH-së, gjatë ditës së sotme nga 26 rastet e reja, vetëm 5 janë nga Tetova. Tetova renditet në vendin e dytë në nivel vendi me 73 raste aktive. 

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka theksuar se arsyeja e rritjes së infektimeve ka qenë qarkullimi i më shumë qytetarëve dhe numri në rritje i testimeve për shkak të udhëtimeve. Sipas informacioneve që e para e Komunës i ka marrë nga Spitali Klinik I Tetovës, të infektuarit janë me pasqyrë të lehtë klinike.

“Rritja e numrit të të infektuarve për shkak të dendësisë më të madhe, komunikimit më të madh, janë edhe pasojat e rritjes së numrave gjithandej, por nga kontaktet me qendrën klinike d.m.th informacionet janë se nuk ka pacient me pasqyrë të rëndë shëndetësore, është e rëndësishme që të vijoj vaksinimi masiv që sa më shumë të mbrohemi dhe të përgatitemi për fillimin e vitit shkollor”.

Tashmë disa ditë ka filluar vaksinimi në terren i qytetarëve pa një termin të caktuar. Nga Shtëpia e Shëndetit në Tetovë deklarojnë se sot ka pasur numër rekord i të interesuarve për vaksinim në Rajonin e Komunave të Tetovës. Deri në mesditë, mbi 320 qytetarë janë vaksinuar nëpër punktet rurale.  

Duke i komentuar klasterët e rinj në Rajonin e Tetovës, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se nuk mendohet për karantinim lokal dhe se fokusi është vënë në vaksinimin e popullatës.

Klan Macedonia