Simaku: Incidencë e ulët, rënie në të gjitha bashkitë

Vala e infektimeve e krijuar nga qarkullimi i variantit Delta ka humbur forcën e saj. Vetëm në një javë numri total i rasteve aktive me Covid në vend ka rënë me 1071 persona. Aktualisht janë 6289 të infektuar në të gjithë Shqipërinë ndërsa kjo shifër ishte 7360 një javë më parë. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik vlerësojnë se kjo rënie do të vijojë.

“Aktualisht paraqitet një trend i qëndrueshëm. Incidenca është më e ulët në krahasim me dy javët paraardhëse. Rënia vërehet në të gjitha bashkitë e vendit. Kështu parashikohet edhe në javët në vijim”.

Pozitiv është fakti se pavarësisht se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se prej një jave kemi hyrë zyrtarisht në sezonin e gripit, në vendin tonë nuk është izoluar ende asnjë rast me viruset gripale.

“Nuk është evidentuar qarkullimi i viruseve respiratorë. Në të gjithë Europën vitin e kaluar nuk ka pasur raste të gripit. Kanë qenë shumë raste të rralla”.

Sipas ekspertëve dyshimet janë se këtë vit krahas virusit pandemik do të kemi edhe viruset e gripit. Vaksinimi për të dyja rastet shikohet si mundësia më e mirë për të parandaluar fatalitetet.

Tv Klan