Kryeministri: Zhytët vendin në borxh; Teliti: Kot krahasoheni me ne

Kryeministri Edi Rama dha Partia Demokratike janë përplasur sot lidhur me borxhin publik të Shqipërisë. Në një postim në mediat sociale, kreu i qeverisë publikoi disa shifra dhe hodhi akuza kundër opozitës, duke thënë se e zhyti vendin në borxh kur ishte në qeveri 8 vite më parë.

 “MIRËMËNGJES 😊 dhe meqë dëgjoni llafe shumë për Borxhin Publik nga ata që e zhytën Shqipërinë në borxhe ndaj sipërmarrjes, shëndetësisë, arsimit e deri edhe ndaj personave me aftësi të kufizuar, të prekurve nga përmbytjet, e madje edhe bebeve të porsalindura që i lanë pa mikrobonusin 5 mijë Lekë, njësoj si rrugët e lëna rrugëve, me këtë krahasim fare të thjeshtë për ta kuptuar dallimin e madh mes tyre e nesh, ju uroj një ditë të mbarë🙏”, shkruan Kryeministri.

Grafik i publikuar nga Kryeministri, Edi Rama

Pas këtij reagimi ka ardhur dhe përgjigja nga opozita. Dorian Teliti, shefi i kabinetit të Lulzim Bashës ka publikuar shifra të tjera dhe thotë se qeveria aktuale ka rritur borxhin publik me 29%.

Më kot krahasoheni me ne. 2006-2013 borxhi publik u rrit me vetem 10% të PBB-së (përfshirë detyrimet e prapambetura), me të cilat u ndërtuan dhjetëra spitale, qindra shkolla, mijëra km akse rrugore, përfshirë këtu rrugën e kombit. 2006-2013 ulëm taksat dhe rritëm pagat e pensionet.

Ndërsa 2014-2020, borxhi u rrit me 29% të PBB-së (përfshirë detyrime të prapambetura dhe PPP) dhe i vetmi investim i plotë që keni kryer është bypass Fier prej 22km. Familjet shqiptare sot kanë një borxh 50% më të lartë sesa 7 vite më parë.

Grafik i publikuar nga Dorian Teliti

Borxhin publik e rritet ju dhe e përdorët për koncesione klienteliste, tendera pa gare, lukse zyrash e udhëtime me charter. Jeni ju që rritet taksat me 2.1 miliardë euro në 7 vite dhe braktisët ekonominë edhe në kohë pandemie”, shkruan Teliti duke shoqëruar reagimin e tij me një grafik me shifra ndryshe nga të Ramës./tvklan.al