Liderët botërorë të vendeve demokratike kanë dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Një pjesë e tyre kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje në Lindjen e Mesme. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, teksa e dënoi me termat më të ashpra sulmin, tha se kishte zhvilluar një bisdedë telefonike me kryeministrin izraelit, të cilit i kishte shprehur mbështetjen e plotë.

Joe Biden: Fola me kryeministrin Netanyahu për të riafirmuar angazhimin e hekurt të Amerikës për sigurinë e Izraelit. I thashë atij se Izraeli demonstroi një kapacitet të jashtëzakonshëm për t’u mbrojtur nga ky sulm i paprecedentë. Përkushtimi ynë për sigurinë e Izraelit kundër kërcënimeve nga Irani dhe grupet e tij është i hekurt.

Sulmin e dënoi edhe kryeministri britanik, Rishi Sunak, i cili tha se ato rrezikojnë të destabilizojnë rajonin dhe të krijojnë kaos. Për të analizuar gjendjen pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit në Berlin u mblodh shtabi i krizës i qeverisë gjermane, ku kancelari gjerman Olaf Scholz, shprehu solidaritetin e tij me Tel Avivin dhe tha se “sulmi ndaj territorit të Izraelit është i papërgjegjshëm dhe i pajustifikueshëm”.

Edhe Presidenti francez Emmanuel Macron e dënoi sulmin si të paprecedentë dhe që kërcënon destabilizimin e rajonin. Në një postim në rrjetin “X”, ai tha se Franca po punon me partnerët e saj për qetësimin e gjendjes dhe bën thirrje palëve për përmbajtje.

Italia, e cila aktualisht ka presidencën e G7-s, ka thirrur për sot pasdite një takim urgjent të krerëve të shteteve dhe të qeverive të shtatë vendeve më të fuqishme të industrializuara për të diskutuar për këtë temë.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell si dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen duke dënuar sulmin, e cilsuan atë si një “përshkallëzim të paprecedentë” dhe një kërcënim të rëndë për sigurinë rajonale.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, kërkoi ndalimin e menjëhershëm të armiqësive në Lindjen e Mesme dhe shmangien e çdo veprimi që mund të çojë në konfrontime më të mëdha ushtarake. Ndaj sulmit reaguan edhe Rusia me Kinën, të cilat u bënë thirrje palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe që problemet ekzistuese t’i zgjidhin me mjete politike.

Tv Klan