Fortesa Orana, 23 vjeçe, ka qenë pjesë e botës së televizionit dhe modelingut, por sot ajo i ka lënë të gjitha për t`iu përkushtuar pasionit të saj për sportin e karatesë, të cilin e ka nisur që në moshën 7-vjeçare.

Orana është përfaqësuesja e Kosovës në këtë sport dhe është shpallur kampione jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan. E ftuar në programin “Rudina”, në TV Klan ajo ka treguar më shumë për jetën personale, por edhe atë profesionale.

“Me sportin e karatesë jam marrë prej moshës 7-vjeçare. Fillimisht kam nisur sportin e handball-it. Ka nisur si handbolliste, ishte një rastësi shumë e madhe për sportin e karatesë, nuk mbajtëm ushtrime në handball sepse ishte një garë në sportin e karatesë. Unë kisha shumë dëshirë të shihja si ishte sporti i karatesë dhe aty më ka lindur ideja të merresha me sportin e karatesë. Ka qenë një ëndërr për mua”.

Ajo është shpallur disa herë kampione dhe 10 herë sportistja e vitit në Federatën e Karatesë së Kosovës. Kampione Ballkanit në vitin 2018, në kategorinë e  të rriturve si dhe fituese e vendit të 5 në Kampionatin e Europës në 2019.

“Më pëlqenin lufëtrat që i bënin, kontaktet janë disa më specifike në sportin e karatesë, goditjet me këmbë, goditjet me duar. Më jepte adrenalinë më shumë sepse kam një karakter dhe shpirt luftarak dhe prandaj zgjodha dhe sportin e karatesë”.

Synimi i saj janë Lojërat Olimpike në Tokyo 2020, ku Fortesa po përgatitet që të kualifikohet dhe ndjen se është shumë afër./tvklan.al