Vetëm pak ditë pas referendumit që vendosi për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian kanë ardhur edhe reagimet e para, që tregojnë se shkëputja nuk do të jetë e lehtë.

Pas thirrjeve për nisjen sa më parë të procedurave për shkëputjen e vendit nga Unioni, janë liderët politikë në Gjermani që shprehen të revoltuar me faktin se askush nuk dëshiron të marrë përsipër përgjegjësinë për të nisur procedurat e “divorcit”.

David Cameron, që do të qëndrojë në zyrë deri më 2 Shtator si Kryeministër i përkohshëm, duke e ruajtur postin për pasardhësin e tij, ka refuzuar që të përfshihet në negociatat komplekse të Brexit.

Boris Johnson, i cili konsiderohet si pasardhësi i mundshëm i Cameron, është shprehur se nuk do të dëshironte që ta niste këtë proces të vështirë menjëherë, nëse votohet si Kryeministër. Ai dëshiron një hapësirë në të cilën përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar mund të diskutojnë me palën tjetër për të parë nëse ka vend për negociata, sa i përket çështjeve që lidhen me tregtinë dhe emigracionin.

Neni 50 i Traktatit të Lisbonës, i vitit 2007, që parashikon procedurën e Brexit, ia lë në dorë vendit që po largohet që të zbatojë mënyrën. Kjo do të thotë se Britania nuk mund të detyrohet që të nisë negociatat, derisa Kryeministri të jetë gati.

Por një moment që ky proces nis, të dyja palët do të punojnë përgjatë 2 viteve, që është afati i parashikuar në nen dhe nga ana e Britanisë ekziston frika se, përshpejtimi i këtij procesi, mund të bëjë që vendi të dalë i humbur nga negociatat. Për këtë arsye, kryeministri i ardhshëm mund të hezitojë për të nisur procesin, nga i cili nuk ka më kthim prapa.

Liderët e tjetër të Bashkimit Europian duan që procesi të përmbyllet sa më shpejt, sepse i druhen dëmit që mund t’i shkaktojë Brexit projektit Europian.

Ata i frikësohen faktit se duke e zvarritur këtë proces, të tjera vende mund të duan që të largohen gjithashtu nga Unioni. Ekziston gjithashtu një lloj inati me vendimin e Britanisë, që i bën liderët e BE që t’i kërkojnë vendit që të “shporret”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila personalisht ka treguar simpati kundrejt situatës së Britanisë, është përkulur ndaj presionit të brendshëm dhe ka përjashtuar çdolloj negociate, sa i përket marrëveshjeve në të ardhmen, derisa neni 50 të jetë evokuar nga Mbretëria e Bashkuar.

Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, në një konferencë për shtyp tha se Gjermania do të ‘respektojë’ nevojën e britanikëve për kohë, përpara se bisedimet formale të nisin, por ai shtoi:

“Një gjë është mëse e qartë, derisa Britania e Madhe ta bëjë këtë hap, nuk do të ketë bisedime informale që lidhen me modalitetet e daljes nga BE”.

Ministri francez i Financave, Michel Sapin tha se qeveria franceze bie dakord me Gjermaninë, që sa më shpejt të largohet Britania aq më mirë është:

“Franca, njësoj si Gjermania, mendon se Britania votoi për Brexit dhe Brexit duhet të nisë që tani”.

Një burim i besueshëm gjerman, që citohet nga e përditshmja britanike

“The Independent”

tha:

“Partitë politike, liderët politikë, analistët dhe pjesa më e madhe e popullit do të donin që procesi të kishte nisur që dje”.

“Ata janë absolutisht të vendosur – ‘ke vendosur për të iku, kështu që ik’. Janë tepër të revoltuar me Cameron, pasi e shohin si një person egocentrik. Ai u përpoq që të luante poker dhe humbi. Çështja nuk kishte të bënte me BE, por për të shpëtuar veten. Situata u keqmenaxhua dhe nuk ai nuk ishte tepër inteligjent”,

u shpreh burimi ndërsa shtoi:

“Ata po i bëjnë presion Angela Merken, e cila është disi më e mirëkuptueshme sa i përket pozitës së Britanisë, por ajo nuk e ka luksin që të jetë mbështetësja e vetme e Cameron”.

/tvklan.al

Burimi: The Independent