Shkrimtari i madh, Khaled Hosseini ka shpërndarë në rrjetet sociale një foto të yllit të muzikës, Dua Lipa, e cila mbante në duar librin e tij shumë të njohur “Një mijë diej vezullues”.

“Muajin e kaluar Dua Lipa zgjodhi ‘Një mijë diej vezullues’ si zgjedhjen e saj të librave të klubit të leximit “Service 95” për muajin Shkurt. Vizitoni faqen e saj për më shumë, përfshirë një intervistë mes Khaled & Dua”, shkroi ai krahas fotos në “Facebook”.

Një muaj më parë, Hosseini dhe Lipa patën një bashkëbisedim rreth 30 minuta, e cila u publikua në “Service 95”. Faqja është një buletin javor i stilit të jetesës dhe artit i themeluar në vitin 2021 nga Dua Lipa në shërbim të lexuesve.

Ndërkohë, libri “Një mijë diej vezullues” është një nga xhevahirët e letërsisë nën autorësinë e Hosseinit, i cili me penën e tij ka lënë gjurmë edhe në veprat e mëdha si “Gjuetari i balonave”, “Dhe malet oshtinë”, “Lutje detit” dhe shumë e shumë perla të tjera./tvklan.al