“Është normale të pyetesh për gjëra që ke mësuar gjatë detyrës”

Ish-ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, dëshmoi për afro 6 orë këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme.

Ai u fut në ambientet e SPAK rreth orës 9:00 pa avokat dhe mësohet se u paraqit për t’u pyetur si person në dijeni të rrethanave të një hetimi që po kryhet.

Vetë Gjiknuri nuk tregoi për mediat për çfarë çështje ishin të interesuar hetuesit e posaçëm.

“Është gjëja më normale të vish të japësh shpjegime për ngjarje që i ke mësuar gjatë ushtrimit të detyrës. Shpjegimet i dhashë në prokurori, kështu që nuk kam ndonjë informacion për mediat”, tha Gjiknuri.

Edhe SPAK, i pyetur zyrtarisht nga Tv Klan gjatë ditës nuk dha informacion në lidhje me arsyen pse e kishin thirrur ish-ministrin.

Kjo është hera e dytë që ish-ministri paraqitet në SPAK. Ai ka dhënë dëshminë e tij para hetuesve në 10 shkurt 2023, siç deklaroi publikisht në atë kohë në cilësinë e kallëzuesit për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Tv Klan