Opozita akuzon qeverinë se ka mashtruar me vdekjet

Sipas “Worldmeters” Maqedonia e Veriut, në listën botërore, radhitet e katërta për nga numri i viktimave nga Covid-19, në një milion banorë. Në 100 mijë banorë, kanë vdekur 482 persona dhe vendi renditet i 6-ti në botë sipas vdekshmërisë në 100.000 banorë, kanë thënë nga VMRO-DPMNE-ja duke u thirrur në një publikim të Institutit amerikan “Health Data”.

Sipas opozitës maqedonase, instituti amerikan ka analizuar se numri i vdekjeve është dy herë më i lartë nga ajo që është publikuar zyrtarisht nga autoritetet shëndetësore të vendit, duke drejtuar akuza në adresë të Ministrit të Shëndetësisë se po i fsheh shifrat e viktimave.

Epidemiologë në Maqedoninë e Veriut kanë akuzuar se sëmundjet kronike, përdorimi i tepërt i antibiotikëve, mjekimi pa protokolle dhe refuzimi i mjekëve që ta japin ilaçin “Ivermektin”, mund të jenë arsyet përse vendi radhitet e gjashta në botë sipas vdekshmërisë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, kohë më parë ka theksuar se sistemi “Termini Im” ka zbuluar shumë sëmundje kronike tek qytetarët dhe se për këtë duhet bërë një analizë më e detajuar.

“Ekzistojnë më shumë protokolle dhe qëndrime të ndryshme dhe I është lënë mjekut, indikacioneve dhe parametrave të pacientëve dhe këtu nuk kishte një qasje të përgjithshme. Gjithçka ishte si rezultat i situatës klinike dhe analizës së pacientëve”.

Në Maqedoninë e Veriut, përkundër uljes së ndjeshme të infektimeve ditore me COVID-19 dhe numrit të zvogëluar të të shtruarve nëpër spitale, vijojnë të jenë të larta shifrat e pacientëve që humbin betejën me koronavirusin.

Vetëm gjatë kësaj jave, nga e Hëna deri të Shtunën, sipas MSH-së, kanë ndërruar jetë 91 pacientë kurse në total, numri i viktimave nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, nga fillimi i pandemisë është 5.311.

Tv Klan