Një tjetër sukses për sportin e xhudos në Kosovë! Distria Krasniqi u shpall kampione e Evropës në kategorinë deri në 52 kilogramë. Ajo shkëlqeu në Kampionatin Evropian të xhudos, që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Në finale, kampionia olimpike mposhti italianen Odette Giuffrida. Performanca e xhudistes kosovare ishte mjaft e mirë në këtë kategori. Në gjysmëfinale, pejania mposhti spanjollen Ariane Toro Soler.

Në çerekfinale, ajo eliminoi kroaten Ana Viktorija. Xhudistja tjetër nga Kosova, Flaka Loxha u eliminua në raundin e dytë duke u mposhtur nga kroatja Tihea Topolovec.

Ky është titulli i dytë europian për Krasniqin. Ajo ka fituar edhe dy medalje të argjendata si edhe dy të bronxta.

Klan News