Vetëm 0.1% e të testuarve u infektuan pas dozës përforcuese

Doza e tretë e vaksinave krijon imuntitet thuajse të plotë kundër Covid-19ës. Ky është rezultati i të parit test të plotë për dozat përforcuese të vaksinës Pfizer/BioNTech, kryer në Britaninë e Madhe.

Mes 5 mijë personave të imunizuar me dy doza, 109 prej tyre ose 2.2% shfaqën simptoma infektimi. Ndërsa në një tjetër grup me të njëjtin numër personash të imunizuar edhe me dozën e tretë përforcuese, vetëm 5 prej tyre u infektuan ose 0.1% e tyre. Doza përforcuese iu injektua atyre një vit pas dozës së dytë.

Mediat britanike shkruajnë se këto rezultate i japin qeverisë së këtij vendi një mbështetje të madhe për të inkurajuar qytetarët të injektojnë dozën përforcuese, teksa Britania po përballet me shifra rekord infektimesh.

Suksesin e dozës së tretë në reduktimin drastik të infektimeve e dëshmon edhe Izraeli, një ndër vendet e para në botë që nisi vaksinimin masiv që në Dhjetor të 2020-ës.

Edhe pse vaksinimi me dy doza Pfizer shmangu shtimin e vdekjeve, nuk e parandaloi dot valën e re të infektimeve me variantin Delta. Ndërsa ky grafik tregon se me përparimin e injektimit të dozës përforcuese, vala e infektimeve është reduktuar ndjeshëm.    

Tv Klan