Vendimi i Gjykatës së Lartë të Floridës së fundmi i hapi rrugën ashpërsimit të kufizimeve të së drejtës për abort. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns, e drejta për abortin është një çështje e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Në nëntor votuesit mund të zgjedhin nëse duan të zhbëjnë këto kufizime ose jo.

Këtë javë Gjykata e Lartë e Floridës mundësoi që në maj të futet në fuqi ndalimi i abortit pas javës së gjashtë të shtatzanisë.

Vendimi e bën edhe më të rëndësishme çështjen e abortit në votimet në nëntor në Florida, kur votuesit mund të zgjedhin nëse duan të përfshijnë në kushtetën amerikane të drejta më të gjera të abortit.

Kjo politizon edhe më shumë çështjen e së drejtës për abort në Florida dhe garën presidenciale të këtij viti.

Mbrojtja federale për abortin u përmbys pas gati 50 vitesh në vitin 2022 nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara, tre nga gjyqtarët e së cilës janë emëruar nga ish-Presidenti Donald Trump.

Në fushatën për zgjedhjet e këtij viti, kandidati republikan për president është krenuar me rrëzimin e vendimit “Roe kundër Wade”.

“E realizova. Të gjithë kandidatët e tjerë janë qesharakë. Mendoj se jam shumë pro-jetës. Një gua u ngrit dhe tha: Ky njeri i dha fund Roe kundër Wade. Si mund të jeni kundër tij? E them edhe vetë në fakt. Jam krenar që jam presidenti më pro-jetës në historinë amerikane”, pati deklaruar zoti Trump në një tubim më 25 qershor 2023.

Por që nga vendimi i gjykatës së lartë dy vjet më parë, aborti ishte një çështje e humbur politike për republikanët në votimet në Ohajo dhe Kansas.

Të drejtat riprodhuese janë pjesë qëndrore e fushatës së rizgjedhjes së Presidentit Joe Biden.

“Trump e thotë me krenari se pas 50 vitesh arriti të eliminojë Roe kundër Wade. Kjo është deklarata e tij. E keni parë në media. Kur Donald Trumpi flet për përmbysjen e Roe kundër Wade, ai në fakt thotë se gratë duhen ndëshkuar kur ushtrojnë lirinë e tyre riprodhuese. Trumpi dhe mbështetësit e MAGA-s janë përgjegjës për kaosin që pasoi dhe tani po bëjnë thirrje për ndalimin mbarëkombëtare të së drejtës, në çdo shtet, përtej asaj që parasheh ligji tani”, tha zoti Biden.

Në këtë fushatë, ish Presidenti Trump nuk ka deklaruar nëse e mbështet ndalimin kombëtar të abortit. Ai u pyet këtë javë për vendimin e Floridës.

Gazetari: Zoti President, a e mbështetni ndalimin pas gjashtë javësh të abortit që u la në fuqi nga Gjykata e Lartë e Floridës?

Trump: Javën e ardhshme do të dalim me një deklaratë për abortin.

Tek çështja e së drejtës riprodhuese në këto zgjedhje presidenciale do të ketë ndikim poashtu, një vendim i ardhshëm i Gjykatës së Lartë, që do të përcaktojë vendosjen e kufizimeve shtesë në qasjen tek ilaçi më i përdorur për abort./VOA