Rama: Gjoba deri në 5 mln lekë për farmacitë dhe tregtarët abuzive

Duke nisur nga java e ardhshme i gjithë vendi do të jetë në shtetrrethim. Paralajmërimin e bëri Kryeministri Rama, i cili nga shtëpia e tij deklaroi masat shtrënguese që qeveria do të ndërmarrë për të mos lejuar lëvizjen e qytetarëve, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Kryeministri  tha se eksperienca e Kinës dhe Italisë ka shërbyer si studim për të gjithë skenarët që qeveria ka ndërmarrë e do të vijojë për t’i paraprirë situatës në luftën me armikun e padukshëm.

Rama paralajmëroi rritje të numrit të të prekurve me koronavirus ditët në vijim, ndaj dhe për këtë arsye qeveria ka ndërmarrë një akt normativ që detyron strukturat private spitalore që vihen në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor, në të kundërt do të gjobiten me 5 milionë lekë.

Akti normativ parashikon gjoba deri në 5 milion lekë për shitjen me shumicë dhe 100 mijë lekë për shitjen me pakicë në rast të rritjes abuzive të çmimeve të mallrave dhe produkteve ushqimore, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve. Në rast të ripërsëritjes me abuzimin e rritjes së çmimeve, subjektit i mbyllet veprimtaria për 6 muaj.

Në mesazhin drejtuar shqiptarëve, kryeministri nuk la pa falenderuar bluzat e bardha, ku 1000 mjekë e infermierë i janë përgjigjur deri tani thirrjes për t’u regjistruar si vullnetarë të gatshëm në përballjen me të infektuarit nga koronavirusi.

Kryeministri Rama ka paralajmëruar të gjithë ata qytetarët që dalin me automjetet e tyre pa autorizim se do të penalizohen deri në heqje patente për tre vjet, ndërsa punonjësit e administratës publike apo sektorit privat do të mund të qarkullojnë me automjete vetëm deri në orën 08.00 të mëngjesit dhe nga ora 16.00 deri në orën 17.00 të pasdites.

Tv Klan