Kote: Ngricat dhe përmbytjet vonuan daljen në treg për disa kultura

Eksportet në sektorin e bujqësisë u rritën me 8% në periudhën Janar-Prill të këtij viti, por më pak se një vit më parë, ku edhe pse situatë pandemike, tregtia e prodhimeve vendase jashtë u rrit me 14%.

Një pjesë e prodhimeve kanë ecur mirë, por disa degë të perimeve nuk arritën dot të kapin të njëjtin ritëm, me një vit më parë madje shënuan rënie.

Për zv/ministrin e Bujqësisë Dhimo Kote, situata e tkurrjes së shitjeve jashtë të këtyre grupeve lidhet me motin jo të favorshëm që pati ky vit, me ngrica dhe përmbytje të shumta.

“Jemi me rritje, por në disa grupe, si speci, domatja, kastraveci dhe degë kryesisht të perimeve jemi në të njëjtat nivele, ose pak më poshtë se vjet. Shkak kryesor ka qenë situata e motit, reshje, përmbytje dhe ngrica çka na vonuan daljen në treg me 20 ditë”.

Shqipëria është duke eksportuar produkte në të gjithë Europën, madje ka arritur të kapë tregje edhe në Lindjen e Mesme.

“Jemi në rajon për eksporte të një kategorie frutash por dhe në Europë, ndërsa janë kapur edhe tregje në Arabinë Saudite”.

Përveç subvencioneve me skemën e naftës, në Shtator qeveria do të rishohë dhe njëherë strategjinë se si mund të lehtësojë kostot për fermerët në mënyrë që ata të konkurrojnë me çmimin e produkteve të tyre.

“Vetëm këtë vit janë 19 mijë fermerë që marrin naftën pa taksa, ndërsa do të ribëhet dhe njëherë strategjia për të parë se si mund të rritet më shumë ky sektor”.

Fermerët kërkojnë që qeveria të kompensojë të plotë tatimin mbi vlerën e shtuar dhe jo 6% të çmimit të shitjes si sot, në mënyrë që të nxjerrin çmim më të ulët për produktet e tyre.

Tv Klan