Tvklan.al ka mësuar detaje të reja për autorin e dyshuar të vrasjes së Emiljano Boçit 32 vjeç më 14 Janar në kryeqytet. 30-vjeçari u arrestua nga Policia e Tiranës gjatë hetimeve disa mujore me metoda speciale.

Burime për

tvklan.al

kanë thënë se Tori (Hektor) Xhecuka dyshohet të jetë vrasës me pagesë. 30-vjeçari përdorte të dyja emrat për t’iu shmangur drejtësisë.

Gati 1 vit më parë, në rrugën “Shefqet Musaraj” në zonën pranë ish-parkut të autobusëve, Tori Xhesuka qëlloi me armë Emiljano Boçin dhe mikun e tij Melvin Disha. Të dy mbetën të plagosur fillimisht, por 32-vjeçari Boçi ndërroi jetë sapo mbërriti në spital. Viktima u qëllua në automjetin e tij pasi kishte dalë nga një restorant, i shoqëruar edhe nga e dashura. Kjo e fundit u shpëtoi për mrekulli plumbave.

Policia nuk ka dhënë të tjera detaje për ngjarjen, për shkak të sekretit hetimor. Nuk ka ende informacion rreth porositësit të vrasjes. Në atë kohë Policia e Tiranës po hetonte në pistën e prishjes së pazareve të drogës. Kjo për shkak se viktima Emiljano Boçi udhëtonte shpesh drejt Holandës dhe Gjermanisë, dhe ishte i dyshuar për përfshirje në aktivitet kriminal. Nuk dihet nëse kjo pistë e policisë qëndron akoma, megjithatë hetuesit janë duke marrë në pyetje vrasësin Tori (Hektor) Xhecuka.

30-vjeçari është person me precedent të mëparshëm penal. Ai është arrestuar në 25 Shkurt 2015 në pikën kufitare 3 Urat në Përmet. Në atë kohë, Xhecuka ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. /

tvklan.al