Marash Kumbulla ka përfunduar në listën e dëshirave të Fiorentinës. Mbrojtësi shqiptar shikoi nga stoli fitoren e Romës kundër Empolit në fundjavë, duke shtuar dyshimet se pavarësisht golit ndaj Leçes në Kupë nuk ka arritur të bindë trajnerin, Zhose Murinjo. Që prej ardhjes së portugezit në stolin e verdhekuqve, Kumbulla nuk preferohet si titullarë, duke mos arritur të fitojë duelin me shokët e repartit.

Nga kjo situatë kërkon të përfitojë skuadra e Fiorentinës, e cila ka nisur tashmë punën për të transferuar 21-vjeçarin kuqezi në ‘Artemio Franki’ brenda kësaj merkatoje. Formula e kalimit të tij te Fiorentina besohet të jetë ajo e huazimit me të drejtë blerje në fundin e sezonit. Këtë vit, Kumbulla është aktivizuar në 9 ndeshje, ku ka arritur të shënojë 1 gol. Shqiptari gjendet te verdhekuqtë prej sezonit të shkuar, ku u transferua nga Verona për 25 milionë euro.

Klan News