Gjermania pritet të zgjasë izolimin, Franca zgjeron orën policore

Pas Greqisë që prej kësaj të diele ka hyrë në karantinë 1-javore kombëtare, edhe shtete të tjera në mbarë botën po ashpërsojnë masat me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit dhe në mënyrë të veçantë të mutacionit të tij që është shfaqur fillimisht në Britaninë e Madhe.

Ndërsa pritet që vaksinimi kundër Covid të nisë të japë efektet në frenimin e pandemisë, Gjermania pritet ta vazhdojë izolimin që ka vendosur që prej mesit të Dhjetorit. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn duke folur për mediat gjermane tha se duke pasur parasysh numrin e lartë të rasteve, është e rëndësishme që të zgjerohen kufizimet dhe masat.

Franca gjithashtu ka vendosur të zgjerojë zbatimin e orës policore në 15 departamente të tjera për të luftuar rritjen e rasteve të reja. Autoritetet kanë urdhëruar që kjo masë të aplikohet në rajonet që janë në kufi me Gjermaninë, Belgjikën dhe Zvicrën.

E gjendur përballë rritjes së ndjeshme të numrit të infektimeve të reja, qeveria britanike po përballet me thirrje për të mbyllur të gjitha shkollat, për të luftuar përhapjen e virusit.

Masat po i forcojnë edhe shtetet e tjera në Azi. Si pasojë e rritjes së numrit të infektimeve, Tajlanda ka mbyllur në shumë zona shkollat, baret, klubet e natës dhe restorantet. Ndërkaq, në Tokio të Japonisë, guvernatori kërkoi nga qeveria japoneze që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

Tv Klan